Teatri Kombëtar, detajet e projektit të artistëve. Arkitekt, ai që ka projektuar Pallatin e Kongreseve

Një projekt-ide që ruan godinën ekzistuese të Teatrit Kombëtar dhe i shton asaj hapësira të reja funksionale, salla e ambiente për artistët e administratën, u prezantua dje në sallën e provave të TK-së, gjatë takimit të radhës së Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.

Ndërsa deri më sot janë hedhur vetëm fjalë, dje, artistët, të shtuar në numër, jo nga radhët e tyre, por nga qytetarë të thjeshtë, shoqëria civile, arkitektë, inxhinierë e figura publike, etj., prezantuan një ide, se si mund të jetë teatri i ri, duke mos i mohuar qytetit, një ndërtesë historike, por as infrastrukturën që meriton një Teatër Kombëtar.

Projekti u ofrua falas nga pedagogu dhe arkitekti i njohur Vladimir Bregu, projektues i Pallatit të Kongreseve dhe bashkautor i Piramidës, në bashkëpunim me dy ish-studentë të tij, Ejona Belegu dhe Drilon Zajmi. Sipas arkitektit, ky projekt, së bashku me rikonstruksionin, mund të kushtojë 10 milionë euro, ndërkohë që projekti i propozuar nga Kryeministri, kushton tri herë më shumë.

PROJEKTI

Projekt-ideja e prezantuar nga arkitekti Bregu dhe që konkurron atë të atij danez Bjarje Ingels është një ndërthurje e historisë me elementët modernë të arkitekturës. Projekti në fjalë synon ruajtjen e dy godinave ekzistuese të TK-së dhe atij Eksperimental, duke i rikonstruktuar dhe shtimin në hapësirën ndërmjet tyre të një strukture të xhamtë, që do të plotësojë të gjitha nevojat e artistëve dhe publikut me skena dhe ambiente ndihmëse.

“Salla përbëhet nga 850 vende, normalisht me të gjitha kushtet dhe me teknologjinë moderne. Ndërsa, pjesa prapa është pjesa e artistëve edhe e regjisorëve, bashkë me administratën, ndërsa në pjesën e poshtme do të jetë garazhi, një ose dykatësh.

Lartësia nuk i kalon elementet vertikale të teatrit ekzistues. Ne mendojmë që holli, që ka lartësi 17 metër e gjysmë, të jetë ceremonial, që vjen duke u ngritur me një ngritje të nivelit, derisa vjen në sallën e shfaqjes. Imazhi i hollit është rikonstruksion i harkuar. Përveç shkallëve, do të ketë edhe pjesë funksionale edhe anësore. E gjitha salla ka gati tetë hyrje”, shpjegon arkitekti, duke shtuar se ndërtesa do të ketë edhe pjesën e nëntokës, ku do të jenë garazhet.

“Holli kryesor është transparent me xham dhe gjatë gjithë kohës sheh teatrin ekzistues deri në fund. Këtu mund të jenë edhe baret e restorantet për artistët, edhe një dhomë si ekspozitë. Holli ka gjerësi 18 metra”. Arkitekti shpjegoi edhe elementë të tjerë teknikë, që lidheshin me ambientet ndihmëse, dhomat e artistëve, të provave, hyrje-daljet, ngjyra e veshjes së sallës me elementët kuq e zi, duke i qëndruar karakterit kombëtar të institucionit, etj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *