Rama ultimatum Arta Markut: Arresto Tahirin dhe zyrtarë të rëndësishëm para vendimit për negociatat

Nga Boldnews.al
Kryeministri ka vendosur të luajë “të gjithë për të gjitha” në ditët e fundit para mbledhjes së Komisionit Europian, që do të vlerësojë nëse do të hapen negociatat me Shqipërinë për integrimin në BE.
Ai i ka vendosur ultimatum Kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku, që të lëshojë urdhër arresti për zyrtarë dhe ish-zyrtarë, përfshirë edhe njerëz pranë tij. Ky ultimatum, sipas burimeve konfidenciale në Prokurorinë e Përgjithshme, “skadon” në fundjavë, pak orë para se Komisioni Europian të vlerësojë ecurinë e reformave të Shqipërisë, në takimin e datës 17 Prill.
Saimir Tahiri, ish-ministri i Brendshëm dhe një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të kryeministrit Edi Rama pritet të jetë një prej “kurbanëve” të negociatave. Tahiri, i cili dyshohet se është përfshirë në trafik narkotikësh, së bashku me kushërinjtë e tij Habilaj, u shpëtoi prangave në Tetor 2017, pasi maxhoranca socialiste nuk e pranoi kërkesën e prokurorisë për arrestimin e tij.
Por tashmë, gjërat kanë ndryshuar dhe Edi Ramës i intereson burgosja e Tahirit, në këmbim të hapjes së negociatave. Për të shmangur një përçarje brenda Partisë Socialiste, Edi Rama dhe njerëzit pranë tij kanë sugjeruar që Prokuroria të nxjerrë urdhër-ndalimi ndaj tij pak orë para mbledhjes së Komisionit Europian. Më pas, ky urdhër vlerësohet nga Parlamenti, në një seancë, e cila mund të përkojë me kohën që Komisioni Europian ka mbyllur punimet e tij. Në këtë mënyrë, Tahiri arrestohet para takimit të Brukselit. Dhe më tej, mbështetësit e tij në PS, nuk aprovojnë arrestimin, në një seancë që mund të caktohet pas mbledhjes së Komisionit Europian.
Në nëntor 2016, Komisioni Europian sugjeroi hapjen e negociatave me Shqipërinë, por me kushtin që të vërtetohen efektet e Reformës në Drejtësi. Pas një serie dështimesh me Reformën dhe aplikimin e mekanizmave për kapjen e drejtësisë, tashmë Edi Rama është në fazën që i duhen disa rezultate, për të dëshmuar në Bruksel se ka përmbushur detyrat e tij. Për këtë arsye, ai, i mbështetur edhe nga ambasadorë të rëndësishëm në Tiranë, po ushtrojnë presion tek Kryeprokurorja e Përkohshme për të realizuar disa arrestime, me qëllim justifikimin para Komisionit Europian.
“Boldnews.al” ka mësuar se, në tavolinën e Arta Markut gjendet një liste personash për t’u arrestuar, e imponuar nga Kryeministri. Emrat në listë përfshijnë disa funksionarë të lartë qeveritarë, njerëz të cilët mendojnë se kanë pasur mbështetjen e Edi Ramës deri para pak kohësh. Ky skenar qarkullon prej disa ditësh në korridoret e Partisë Socialiste dhe aludimet shkojnë deri në rang ministrash.
Në listë janë edhe ish- zyrtarë të lartë dhe ish-drejtues të rëndësishëm të institucioneve shtetërore, gjyqtarë dhe prokurorë. Për këta të fundit, Kryeministri ka angazhuar edhe Komisionin e Vetingut.
Burimet nga Prokuroria e Përgjithshme pohojnë për “Boldnews.al” se, deri në fundjavë duhet të aktivizohen urdhër-arrestet për të paktën 8 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë. Kjo situatë ka vendosur nën presion prokurorët, të cilët, nën urdhërin e Kryeprokurores, duhet të mbledhin prova të mjaftueshme për të bindur gjykatën që të firmosë masat e arrestit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here