Nga Boldnews.al
Nga 330 mijë fermer të informalizuar, vetëm 2 % e tyre kanë aplikuar për të përfituar nga fondet e qeverisë për mbështetjen e investimeve të tyre. Ministria e Bujqësisë bën të ditur se përgjatë një muaji, nga data 28 shkurt deri më 28 mars kanë aplikuar 5852 fermerë për 52 masat e investimeve dhe mbështetjes direkte në bujqësi dhe blegtori. Sipas Ministrisë, në krahasim me vitet e kaluara, vihet re një rritje prej mbi 20% e numrit të aplikuesëve dhe kjo falë thjeshtimit të gjithë burokracisë të nevojshme për të aplikuar.
Por, ndërsa nuk pranon dështimin me këtë skemë, që është përdorur si propagandë edhe nga Kryeministri Rama për mbështetjen që qeveria po jep për fermerët dhe bujqësinë, sektor që nuk kanë njohur asnjë zhvillim përgjatë 5 viteve të fundit, Ministria e Bujqësisë bën të ditur se afati i aplikimeve për masat e investimeve në skemën kombëtare të mbështetjes në bujqësi do të zgjatet edhe një muaj tjetër.
“Afati për aplikimin për masat e investimeve për përmirësimin e kushteve të sigurisë ushqimore, agroturizmin dhe programin e zhvillimit rural, investimit në fermë etj., shtyhet deri në datën 27 prill. Kjo është një masë për të garantuar të gjithë aplikantët potencial që kanë shprehur interes për masat e investimeve, të përfundojnë procesin e aplikimit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Sikur të mos mjaftonte dështimi me fondet për fermerët, të cilët duhet të ishin të siguruar për të përfituar mbështetje financiare për investimet e tyre, pas projektit të 100 fshatrave. Ministria e Bujqësisë ka njoftuar një konkursin e radhës, “Festat në fshat”, që synon zgjimin e aktiviteve në zonat rurale. Ministria ka ftuar të gjitha bashkitë që në bashkëpunim me organizata të aplikojnë deri në datën 20 prill për mbështetjen e aktiviteteve lokale më të mira në funksion te promovimit të fshatit, turizmit rural dhe produkteve tipike.
Këto projekte të qeverisë Rama për fshatin jo vetëm që janë shumë larg realitetit dhe nevojave që kanë zonat rurale, por as kanë për të mbërritur kurrë te banorët, të cilët do duhet t’i paguajnë së shpejti qeverisë edhe një taksë të re për puset.