Nga Boldnews.al
Emri i Prokurorit të ri i Përgjithshëm ka përfshirë në debate të ashpra edhe Partinë Socialiste. Pasi kanë vendosur të eleminojnë opozitën nga përfshirja në proces, tashmë deputetët e maxhorancës po përplasen ndërmjet tyre.
Pasditen e së martës përfundon procesi i aplikimit të kandidatëve për kryeprokuror. Pavarësisht thirrjeve të deputetëve socialistë që prokurorët të afrohen për të marrë pjesë në proces, numri i aplikantëve është minimal.
Deri më tani, zyrtarisht është përfshirë në garë Ferdinand Elezi, aktualisht drejtues i Prokurorisë së Apelit të Durrësit.
Në media është përmendur edhe emri i prokurores së Shkodrës, Arta Marku. Por, burime zyrtare në Kuvendin e Shqipërisë deklaruan për “Boldneës” se zonja Marku ende nuk ka aplikuar zyrtarisht.
Ky qëndrim zyrtar shkon në të kundërt me atë që u deklarua si informacion i sigurt ditën e Hënë. Por nga ana tjetër, dëshmon edhe për një situatë jo-normale në radhët e Partisë Socialiste. Kjo lidhet pikërisht me emrat konkretë.
Grupe të ndryshme deputetësh të maxhorancës po lobojnë për kandidatët e tyre të preferuar, gjë e cila ka sjellë ndasi ndërmjet radhëve.
Deri më tani, ka një top-listë preferencash për zëvendësuesin e Adriatik Llallës.
Olsian Çela, prokuror te Krimet e Rënda, duket se ka mbështetjen e përkrahësve të kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi. Çela, siç ka raportuar më parë “Boldneës”, ka lidhje të hershme me Partinë Socialiste dhe ka qenë një prej njerëzve më të afërt të ish-kryeprokurores, Ina Rama.
Arta Marku, prokurore në Shkodër, ka përkrahjen e kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja. Ai po përpiqet që të përgatisë terrenin për vendosjen e një kryeprokuroreje të dytë në historinë e Shqipërisë. Në krah të Ulsit është, ndër të tjerë, edhe deputetja Ermonela Felaj, mikeshë e ngushtë e Arta Markut që në kohën e studimeve në Magjistraturë.
Henrik Ligori, prokuror te Krimet e Rënda, një emër i përfolur edhe më herët për poste drejtuese në hierarkinë e organit të prokurorisë. Ai ka mbështetjen e plotë të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ish-kryetar i Komisionit të Reformës në Drejtësi.
Në fund të top-listës mund të renditet edhe kandidati tashmë zyrtar, Ferdinand Elezi, për të cilin aludohet se po lobon kryebashkiaku i Durrësit, Vangjus Dako, një prej njerëzve më të afërt të Edi Ramës.
Pra, duket qartë që çdo emër i aluduar si Prokuror i Përgjithshëm i përkohshëm ka lidhje të forta me lobingje brenda Partisë Socialiste. Por, e veçanta është se secili prej tyre ka mbështetje të ndryshme nga të tjerët, gjë që ka sjellë edhe mungesë uniformiteti brenda radhëve të maxhorancës.
Kjo duket të jetë edhe arsyeja se përse, dorëzimi zyrtar i kandidaturave mund të bëhet në limitin kohor të vendosur nga Komisioni i Ligjeve. Aplikantët, para se të përfshihen në një garë për kryeprokuror, më së pari duhet të marrin sinjalet pozitive nga lobingjet e tyre.
Në të kundërt, ekziston mundësia që procesi të shtyhet, me argumentin se “nuk ka kandidatë të mjaftueshëm për garë”.
Kjo gjendje përplasje mes klaneve brenda Partisë Socialiste reflekton edhe kërkesën e kryeministrit Rama për opozitën që të bëhet pjesë e procesit. Si duket Rama po kërkon të përdorë opozitën për të ndarë sherret mes të tijëve. A do të përdoret opozita kësaj here?!