Astrit Patozi është kundër rikthimit të Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike. Këtë e konfirmoi tek emisioni “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit.
Ylli Rakipi – Atëherë t’ju bëj një pyetje tjetër, që të shohim nëse ju ndryshoni në këtë pikë apo jo?
Zonja Topalli, kërkon me përgjërim kthimin e Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike. Ajo e krahason rikthimin e Berishës, me kthimin e dikurshëm të De Gaulle në Francë. Ju ç’mendoni?
Astrit Patozi – Ky është një mendim i saj dhe unë nuk kam asnjë arsye të jem as pro dhe as kundër. Unë nuk e mendoj kështu.
Ylli Rakipi – Ju nuk mendoni, që duhet të kthehet Sali Berisha?
Astrit Patozi – Jo nuk mendoj kështu. Unë kam menduar dhe e kam shprehur mendimin tim. Kam menduar që Sali Berisha, duke qenë një lloj patriarku në Partinë Demokratike, njeriu më ndikues për shkak të historisë së kësaj partie, lideri jonë historik, mund të japë një kontribut të çmuar për ta zgjidhur krizën, sepse që Partia Demokratike është në krizë, e dinë edhe fëmijët e kopshtit. Dhe unë i qëndroj kësaj, se zoti Berisha është ende në kohë për të dhënë një kontribut. Në rast se ai vendos. Në rast se ai vendos ndryshe, pastaj sigurisht është çështje e tij. Por ne nuk mund ti mbajmë sytë, as te një njeri i vetëm dhe aq më pak tek zoti. Ndërkohë që po flasim për një gabim të njeriut. Ne duhet të kuptojmë dhe unë jam përpjekur t’jua shpjegoj demokratëve, edhe në takimet që kemi patur, shumë të mira, të shkëlqyera në shumë rrethe të Shqipërisë. Që kryetari i dështuar, nuk është fatkeqësi natyrore, pra ne nuk mund ta trajtojmë sot, Lulzim Bashën si një tërmet, si një vullkan, i cili shpërtheu, na ndodhi dhe njerëzit për forca të mbinatyrshme, nuk kanë mundësi të reagojnë.