Nga Nertil Agalliu
Kjo komedi që po ndodh sot në fushatën e PS dhe PD, është sa qesharake aq edhe keqardhje, sesi të dyja këto forca politike ose më saktë “çifti” i ri Rama-Basha po tentojnë me çdo kusht të vrasin Ilir Metën dhe partinë e tij politike.
Edi Rama pothuasje në çdo takim po i thotë socialistëve por edhe shqiptarëve se djali i ardhur nga Holanda në krye të PD, është cun i mirë dhe jo siç dukej nga larg, ndërsa vota për LSI, është një votë e mbytur në det.
Por si për çudi dhe ironi të fatit, njeriu që sot duhet të trumpetonte me të madhe për të qenë vertetë opozita që u shfaq në çadër, po sulmon më ashpër sesa Rama, ish mikun e tij që i rrinte në krah, madje edhe në tavolina shpeshherë gjatë viteve 2009- 2013, madje-madje, zërin e lëshonte në çadër dhe sytë i kishte nga zyra e Kuvendit, por edhe lëvizjen e shpëtimit të tij nga çadra e kishte pikërisht tek Ilir Meta…
I njohur ndryshe, disi vonë nga Ilir Meta, si njeriu që të gënjen edhe për orën, Lulzim Basha, sot po flet nëpër takime njësoj si Edi Rama.
Por përse kjo luftë e hapur e të dyve kundër Ilir Metës?
Kush fiton më shumë nga vrasja politike e Metës, Rama apo Basha ?
Po pas 25 qershorit a do t’i përtypin akuzat e tyre në rast se i duhen votat e LSI për të formuar qeverinë ?
Edi Rama dhe Lulzim Basha fitojnë pothuasje njësoj nëse vrasin njëkosisht Ilir Metën. Rama heq qafe njeriun që gjithë këto vite e ka lënë në opozitë, njeriun që edhe tortën ja ka ndarë përgjysëm këto katër vjet, njeriun që me votat e tij ka vendosur dhe vendos qeveritë. Me vrasjen politike të LSI-së, Edi Rama qeveris i vetëm dhe pa asnjë kundërshtar, duke i hapur kështu rrugë sistemit dypartiak për herë të parë pas 27 viteve në Shqipëri. Në këtë mënyrë ai i shtron rrugën edhe rivalit të tij Lulzim Basha për 4-vjeçarin e ardhshëm kur t’i vij radha e rotacionit politik.
Lulzim Basha nga ana e tij fiton po kaq shumë sa Edi Rama. Basha fiton partinë më 25 qershor, grupin e tij parlamentar, dhe me çdo kusht tenton që me ndihmën e kësaj aleance me Edi Ramën, të ndal rrjedhjen e votive të PD, drejt LSI, pasi kjo është edhe goditja më e rëndë që Basha rrezikon të marrë në këto zgjedhje.
Në këtë rast dy të këqijat më të mëdha të këtyre 27 viteve janë bërë bashkë kundër një të këqije të vogël, që në krahasim me dy të bashkuarit është thjesht një pikë uji në oqean.
Zgjedhjet e 25 qershorit në Shqipëri kanë vetëm një qëllim, vrasjen politike të Ilir Metës, dhe LSI, si dhe vendosjen e sistemit dypartiak në vend ku dy kryetarët përfundimisht i kthejnë partitë e tyre në SHPK, njësoj siç akuzojnë ata partinë e Ilir Metës.
Nëse Meta deri tani i zgjedhur president, po flet si kryetar partie, duke bërë fushatë në çdo qytet, ai që duket se ka huazuar shprehjen e famshme të Ilir Metës, me qetësi dhe dashuri është Sali Berisha.
Babai politik i Lulzim Bashës, ende nuk ka folur dhe përderisa Berisha, nuk ka folur këtu akoma nuk ka përfunduar, jo vetëm qetësia por as dashuria.