Tangat, si kacavarje denigruese e brekëgrisurve

Nga Sokol Gjoni

Protesta e 18 Shkurtit, e cila në thelb ishte një sinergji vullnetesh qytetaro-opozitariste, dëshmoi në mënyrën më qartë, dështimin tragji-komik të projektit të ”Rilindjes”, i afishuar me aq forcë dhe prepotencë propagandistike nga Rama dhe të tijët. Të mbledhur rreth kauzës për zgjedhje të lira dhe të ndershme, qytetarët shqiptarë, me pjesëmarrjen masive dhe qytetarinë e treguar, afirmuan në sintoni të plotë me liderin Basha, aspiratën evropiane dhe pro-atlantike të Shqipërisë, duke qenë të vendosur për sigurimin e standardit të zgjedhjeve të lira, si parakushti bazik për çeljen e negociatave me BE-në.

Përveç pjesëmarrjes masive, protesta nxori në pah organizimin dhe funksionimin e strukturave të PD-së, ndaj të cilave, disa syresh kanë qenë skeptikë duke ngritur hipoteza për tulatje dhe ngërçe që vijnë  nga segmente në dis-harmoni me vijën e Bashës. Nuk kishte dyshime që protesta do të ishte masive, pasi performanca e qeverisë, me dështime në të gjithë sektorët jetikë dhe strategjikë të vendit është (pak të thuash) katastrofale;  konçensionet, si forma më e stisur e keqpërdorimit të pushtetit në favor të klientelës; reformat e ashtuquajtuara, në thelb devijime korruptive në kurriz të qytetarëve të thjeshtë, janë të mjaftueshme për të akumuluar vlug popullor ndaj një qeverisje që i ka zgjedhur vetes së saj një epilog pa shumë zgjidhje. Protesta është në fazat e një zhvillimi demokratik ku fatin dhe peshën e saj e luajnë qytetarët. Opozita dhe lideri Basha, kanë artikuluar një retorikë evropianizuese, duke nënvizuar sfondin gri dhe klimën aspak favorizuese  të zgjedhjeve të 18 qershorit 2017.

Ekonomia kriminale, përmes kanabizimit të vendit, retorika agresive ndaj institucioneve kushtetuese,  dhuna dhe terrori psikologjik ndaj  qytetarëve, medias dhe fjalës së lirë është panorama e trishtë e një prag gare që nuk ofron asgjë nga standardi demokratik i kërkuar nga partnerët ndërkombëtarë. Përballë rrezikut të asgjësimit të çdo gjëje demokratike të instaluar gjatë këtyre viteve në tranzicionin e vështirë shqiptar, banditokracia e Ramës,  përmes postulatit  “ e para partia, pastaj Shqipëria” kërkon ta spostojë Shqipërinë në kursin gjeopolitik të vendeve autokratike , me qëllim  jetëgjatësinë e pushtetit të mafias që ka uzurpuar jetën politike nën petkun e  “rilindjes “dhe arteriet srategjike të ekonomisë shqiptare.  Në këtë spirale zhvillimesh, padyshim, protesta e qytetarëve shqiptarë me datë 18 shkurt, e thirrur nga PD-ja, është një ogur i mirë, pasi synohet të nxjerrë nga darat e kapjes dhe të çlirojë debatin politik në favor të zgjidhjeve me mekanizma demokratikë që  garantojnë gara elektorale të  shëndetshme, si premisë e padiskutueshme e vlerësimit ndërkombëtar për proçeset integruese. Protesta e 18 shkurtit vazhdon. Ajo, tashmë ka hyrë në një fazë të qartë të afishimit të zgjidhjes konkrete.

Zgjidhjen e dhanë qytetarët, duke u intonuar me rezonancën politike të opozitës. Përtej skeptikëve, baltosësve, denigruesve, statisticienëve, parashikuesve , analistëve jeniçerë, sondazhbërësve etj, PD-ja është thirrur nga qytetarët në këtë mision historik për të mbrojtur atë çka ajo siguroi 26 vite më parë.  Nuk ka dyshim, që bijtë e etërve do të përpiqeshin me çdo mjet të interferonin këtë  kushtrim mbarëqytetar që kumboi furishëm në bulevard, dhe menjëherë makineria e shfrenuar e baltinës rilindiste u vu në gjetje të sebepit denigrues të këtij uragani mbarëpopullor. Qytetaria dhe maturia e protestuesve, ishte kurthi në të cilin ra baltovina  rilindiste, e cila ishte përgatitur të damkoste këtë protestë. Tangat e gazetares, (detaj që u keqpërdor dendësisht nga akreditimet mediatike të Endri Fugës, si aspekt denigrues i protestës) nxorën në pah mjeranizimin e stilit propagandistik që karakterizon median proqeveritare. Të gjithë këta, që vrapuan të bëjnë lajm me “pakujdesinë“e gazetares, synuan të përdorin tangat si mjetin kacavarës të varkës së tyre që po fundoset nga zullumi …i brekëgrisurve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *