Kryeministri rumun, Sorin Grindeanu njoftoi dje se do të pezullojë dekretin që disa vepra korrupsioni nuk i konsideron më vepra penale.
Mediat ndërkombëtare raportojnë se vendimi është marrë pas gati një jave protesta masive nëpër Rumani. Grindeanu ka thënë se qeveria e tij do e mbajë një mbledhje gjatë ditës së sotme për ta pezulluar dekretin.
“Nuk dua që Rumania të jetë e ndarë”, u ka thënë Grindeanu gazetarëve. “Nuk mund të ndahet në dy pjesë”, ka vijuar ai.
Më 4 shkurt, policia tha se afro 330 mijë protestues kanë demonstruar në atë që po konsiderohet si protesta më e madhe prej atyre të vitit 1989 që rrëzuan nga pushteti diktatorin komunist, Nikolla Çaushesku.
Kritikët thonë se qëllimi kryesor i dekretit ishte të ndihmohen disa prej mijëra zyrtarëve dhe politikanëve që janë kapur në afera korruptive, jo pak prej të cilëve janë pjesë e social demokratëve të Grindeanus.