Ish kryeministri Berisha deklaroi se reforma në drejtësi ka arritur standarde vetëm falë Partisë Demokratike. I ftuar në Top Story, Berisha u shpreh se kjo qeveri “mafioze” ka kërkuar vazhdimisht të kontrollojë drejtësinë.
“Partia Demokratike ka dhënë kontribut historik në këtë reformë. Kjo reformë arriti standardet ndërkombëtare falë PD. Nuk u rrëzuan draftet e PD në Venecia. Atje u rrëzuan projektet e PS dhe atyre që mbështeten PS“, thotë ai.
Por cilët janë mbështetësit e PS?
“Dihen! Nuk ka nevojë! Ata që vunë vulën, firmën. Dihet kush janë. Ekspertët tanë dërguan atje edhe mendime. Po të lexosh nenet e saj i jep 100 përqind të drejtë PD. Parimi kryesor, juristët mund të kapin dhe i kanë pasion detajet. Parimi që u ankuam ishte që ky ligj të bëhet nga trupa kushtetues e zgjedhur dhe jo nga institucionet mafioze të një qeverie që është për mua organizatë kriminale. Përsa i përket përfshirjes së organeve në kontrollin e ekzekutivit, tregon që pavarësisht përfshirjes së institucioneve në procesin e investigimir dhe në kërkimin fillestar të provave, është me komisionin e pavarur dhe dhomën e apelit që kanë fuqinë të verfikojnë për vetë provat“, thotë Berisha.
Sipas Berishës është Partia Demokratike që ka përcaktuar kusht bashkëpunimin dhe dërgimin e materialeve në Venecia. Ai vetë thotë se pret që Gjykata Kushtetuese të zbatojë rekomandimin e Venecias.
“Venecia thotë që gjykata duhet të përcaktojë nëse trupi kushtetues ka fuqi të plotë për të kontrolluar të gjitha institucionet e qeverisë. Ne presim që gjykata të zbatojë rekomandimin e Venecias”, tha ai.