Keu i PD, Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha si dhe përfaqësues të tjerë të opozitës kanë zhvilluar homazhe tek memoriali i Azem Hajdarit, në ditën e dëshmorëve. Ish-kryeministri Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se flirton me vrasësit e Hajdarit dhe se ka frikë nga Azem Hajdari edhe në ëndërr.
“Nderojmë Azem Hajdarin, në dhjetor të viti ‘90 do të ngrihej si anteu për t’i bërë shqiptarët të lirë së bashku me shoqet dhe shokët e tij studentë, do të zhvillonin ato ditë dhjetori betejën më të fuqishme, më legjendare, më paqësore të shqiptarëve për liri. Azemi dhe Besim Cerja ranë si dy vëllezër këtu para selisë së PS, të ekzekutuar nga pushteti që Azemi përmbysi me revolucionin e tij demokratik. Vepra e tij bëhet gjithnjë e më madhështore. Vepra e tij dhe e studentëve bëri të mundur të gjitha ngjarjet e tjera të mëdha që shqiptarët përjetuan 25 vitet e fundit. Ajo është dita ku e kanë origjinën arritjet e kombit shqiptar. Edvin Kristaq Rama pikërisht në këtë moment historik, këtë 25-vjetor ka filluar flirtin me vrasësit që dergjen në burgje apo që i nxori jashtë me dokumente false.Kjo tregon se ti edhe në gjumë edhe në ëndërr ke frikë nga Azem Hajdari. E vërteta është që ke 1000 arsye për të patur sepse Azemi është burim i pashtershëm frymëzimi për të rezervuar ty si neobllokmen, fatin që patën etërit tuaj”, tha Berisha.
Ndërsa kreu i PD-së, Lulzim Basha deklaroi se në këtë ditë, nuk mund të mungonte dhe nderimi për heroin e demokracisë. Ai theksoi se opozita betohet që do ta mund krimin e veshur me uniformën e shtetit.
“Nuk kishte si të mungonte urimi për figurën e demokracisë, Azem Hajdarin dhe mikun e tij Besnik Cerën. Ne vijmë sot këtu në këtë monument të ri, jo vetëm me nderimin për heroin tonë, por dhe me betimin se përsëri do ta mundim krimin e veshur me uniformën e shtetit, për ti dhënë shqiptarëve një Shqipëri demokratike, siç e dëshmuan studentët e Dhjetorit dhe Azem Hajdari. Lavdi përjetë Azem Hajdarit dhe dëshmorëve të demokracisë”, tha kreu i PD.