Shpërthen Cungu: Kanë filluar skenarët, Vllaznia e vetme për mbijetesë

Trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu, nuk është i qetë. Ai sheh çfarë po ndodh në kampionatin shqiptar dhe, duke e parë skuadrën e tij të rrezikuar seriozisht, natyrisht që nuk ndihet mirë. Megjithëse thotë se “nuk do të dorëzohem”, kuptohet që ka frikë brenda vetes, sepse në këtë lloj futbolli gjithçka mund të ndodhë. Gjithsesi, beson te skuadra që drejton. I pyetur se cila është atmosfera tek ajo, pas barazimit të fundit me Laçin, Cungu do të përgjigjej:

“Atmosfera është e mirë, pozitive, sepse nuk ka arsye pse të jetë ndryshe. Shqetësim mbeten problemet shëndetësore te disa sportistë, që janë të domosdoshëm për formacionin tone. Megjithatë, cilido që do të jetë në fushë, pretendoj që të japë më të mirën për të marrë fitoren. E di që nuk do të jetë e lehtë, por do të bëjmë maksimumin. Ana psikologjike e sportistëve nuk ka pse të jetë e keqe, pas barazimit me Laçin. Për mua, Vllaznia e ka fituar ndeshjen. Futbolli për një gol luhet. Ne vërtetë humbëm 4-5 raste të pastra, por edhe atëherë që topi e kaloi vijën fatale nuk na u quajt gol. Unë vërtetë kam pretendimet e mia për ekipin, por nuk ka pse të ndëshkohemi nga arbitrat”.

Ajo që në fakt ka rënë në sy ka qenë një entuziasëm më i vogël te skuadra në 2-3 ndeshjet e fundit. Këtë e ka konstatuar edhe vetë Cungu, prandaj shton: “Në dy- tre javët e para kam parë në fushë një Vllazni me shumë karakter, me shumë grintë, me shumë zemër, por në dy javët e fundit, ndaj Flamurtarit dhe ndaj Laçit, sidomos në pjesën e parë, këto veçori sikur u zbehën paksa. Ekipi duket si i përgjumur dhe i bie ndërmend me vonesë për të reaguar. Por, duhet kuptuar nga të gjithë se ndeshja fillon në sekondat e para, me rënien e bilbilit, dhe përfundon vetëm në fund, pas shtesës që akordohet. Në këto kushte, nuk kemi asnjë sekondë për të humbur dhe jo më minuta të tëra. Në këto kushte, pres që djemtë të hyjnë në fushë me një karakter të lartë luftarak dhe të vendosur për fitore”.

Tashmë e gjithë vëmendja do të jetë e përqendruar te takimi i nesërm ndaj Kukësit. Ky i fundit, sigurisht që vjen për fitore në Shkodër, ndaj kuptohet se është një kundërshtar për t’u marrë në konsideratë. Megjithatë Armando Cungu thotë që, nëse futbollistët e tij japin më të mirën në fushën e lojës, fitorja mund të vijë: “Fitorja ndaj Kukësit do të thoshte shumë për ne, në këto kushte ku jemi. Duhet të shohim vetëm punën tonë dhe ta bëjmë detyrën në mënyrën më të mirë të mundshme, ashtu si dimë ta bëjmë. Tashmë po shohim se shumë gjëra nuk janë më në dorën tonë. Ajo çfarë mund të kërkoj nga sportistët, si trajner, është që të bëjnë maksimumin në fushën e lojës. Për pjesët e tjera nuk mendoj se duhet të merremi ne.

U takon të tjerëve të merren me to, megjithatë shpresoj të mos ndihemi të vetëm në këtë luftë. Kam thënë gjithnjë se Vllaznia është e vetme, madje që në ditën e parë që kam marrë drejtimin e kësaj skuadre. Kjo më frikëson shumë. Dhe besoj se tashmë kanë filluar të shihen ato çfarë po ndodhin, haptazi dhe qartazi, si skenarë. Nuk mund të them se janë skenarë kundër Vllaznisë, por di të them se jemi të vetëm dhe kështu po rezulton. Shpresoj që të bëhet një kampionat i rregullt, i pastër dhe në fund të fundit të mbijetojë ai që e meriton të mbijetojë.”

Trajneri aktual i kuqebluve më parë ka drejtuar edhe Kukësin, madje duke arritur me të rezultate shumë të larta. Kjo, në njëfarë mënyre, e ndihmon për përballjen e nesërme, sepse ia di deri diku lojën: “Nuk do të jetë e lehtë kundër Kukësit. Kuptohet që trepikëshi na bën punë ndaj kësaj skuadre dhe do të ishte njëfarë shpërblimi për djersën e këtyre djemve. Unë e njoh kundërshtarin, e njoh mirë, sepse para tri sezonesh e kam drejtuar vetë, megjithëse ka ndryshuar shumë. Di të them se është një ekip me kualitete brenda dhe, për këtë arsye, duhet të jemi shumë më seriozë në fushën e lojës. Ne kemi vështirësitë tona, sepse kemi lojtarë kyç të dëmtuar, që po sakrifikojnë.

Më vjen keq për këtë situatë ku ndodhemi, sepse mesa shoh, këtu janë shtrydhur njerëzit si limoni, deri në limitet maksimale, dhe nga dita në ditë presim kur të bëjnë “bam”. Ç’të them më tepër, nuk është pjesë e jona kjo, megjithatë me kontigjentin që kemi në dispozicion do të kërkojmë të marrim maksimumin. Jam i bindur që, nëse vëmë shpirtin në fushën e lojës, mund të arrijmë rezultate. Futbolli i ka të tria rezultatet brenda. Kërkoj që futbollistët të luajnë me shpirt dhe të zbatojnë detyrat. Nëse i bëjnë këto, edhe rezultati do të vijë, nëse jo, atëherë do të vuajmë siç ndodhi në Vlorë apo dhe me Laçin”.

Në fund numri 1 i pankinës shkodrane ka edhe një ndjesë për tifozët, që nuk po arrijnë t’i kënaqin si duhet. Njëkohësisht edhe një kërkesë për të qenë sërish pranë skuadrës: “Nëse kemi për t’i kërkuar kujt falje, këtë e them me sinqeritetin më të madh, duhet ta bëjmë para tifozëve tanë, të cilët po na mbështesin fuqimisht në fushën “Reshit Rusi”. Megjithatë, ndoshta nuk po arrijmë t’i kënaqim aq shumë me rezultate. Gjithsesi, mendoj se Vllaznia ka ndryshuar për mirë kohët e fundit, por ajo çfarë kërkoj dhe u bëj thirrje vëllazërore të gjithë tifozëve të Shkodrës, të jenë sa më të shumtë në stadium. Ta mbështesin Vllazninë, sepse në këto moment, që ndodhemi, në këto vështirësi, që po kalojmë, kemi nevojë më shumë se kurrë për mbështetjen e tyre.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *