Halimi: Të largohen nga Kuvendi Kokëdhima e Prenga, ndryshe s’kthehemi më

Pas votimit të ligjit për Dekriminalizimin, deputeti demokrat, Eduard Halimi ka theksuar se opozita u rikthye në fundvitin e 2014-s në Kuvend në bazëp të marrëveshjes që do të arrihej ligji i dekriminalizimit, zbatimi i vendimit të gjykatave dhe funksionimi normal i komisioneve hetimore parlamentare.

Por sipas Halimit edhe pse u miratua ligji i Dekriminializimit, Armando Prenga do vijojë të mbajë mandatin e deputetit. Gjithashtu Halimi kërkoj zbatim të vendimit të gjykatës Kushtetuese për Koço Kokëdhimën, por edhe zbatimin normal të Komisionoeve Hetimore Parlamentare.

“Pa u bërë dhe pa u plotësuar këto kushte opozita nuk mund të vazhdojë të rrijë më në këtë parlament.​”- tha halimi.

Pas këtij momenti deputetët e opozitës janë larguar nga Kuvendi.

“Në mënyrë që deputetët me rekorde të tmerrshme kriminale, deputetët që gjakosën qytetarët e thjeshtë në dyert e komisariatit të mos shkelin më në parlament, në mënyrë që deputetët të cilët përfitojnë fonde publike duke patur kostumin e deputetit nuk duhet të rrinë as edhe një minutë këtu në parlament.”– tha Halimi.

Fjalimi i Eduard Halimit në Kuvend
Çështja e parë dhe më kryesore për të cilën opozita u kthye në parlament kishte të bënte me dekriminalizimin dhe largimin efektiv të deputetëve me rekorde të tmerrshme kriminale nga parlamenti. Ky proces në mënyrë të padiskutueshme duhej të përmblidhej bashkë me ligjin, instrumentat dhe me largimin efektiv të deputetëve me rekorde kriminale. Të gjithë shqiptarët e dinë shumë mirë se si u pengua ligji për dekriminalizimin për një vit e gjysëm rresht dhe aktet që u miratuan sot duhej të ishin miratuar 3 muaj më parë, por ajo që ndodhi kishte të bënte edhe me ardhjen këtu në parlament të një deputeti i cili gjakosi qytetarët shqiptarë të pafajshëm në derën e komisariatit të policisë.

Ky është kusht i pasdiskutueshëm që opozita të vazhdojë një jetë parlamentare normale, largimi efektiv i deputetit Prenga i cili erdhi në seancën e kaluar për të votuar ministrat e qeverisë dhe nuk ka akoma një akt të pastër ligjor që të ndalojë përfundimisht deputetit Prenga të vijë këtu në parlament.

Kushti i dytë i marrëveshjes së 24 dhjetorit kishte të bënte me ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ajo që ndodhi 2 ditë më pare, ishte se u injorua vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Precedenti i rastit Kokëdhima kishte të bënte me një shkelje të dytë të marrveshjes së 24 dhjetorit dhe kjo është një çështje e padiskutueshme për një marrdhënie normale në parlament. Thyhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese e cila urdhëronte Parlamentin që mos tia fshehë drejtësisë deputetët që kanë përfituar fonde publike. Deri në ekzekutimin e këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese në mënyrë të padiskutueshme, marrëveshja e 24 dhjetorit është duke u shkelur.

Ashtu si kushti tjetër i tretë i marrëveshjes së 24 dhjetorit kishte të bënte me funksionimin normal të komisioneve hetimore parlamentare të cilat gjatë gjithë kësaj kohe janë penguar dhe vazhdojnë të pengohen.

Ndaj për të treja këto kushte, Partia Demokratike ka depozituar sot nisma konkrete ligjore, kërkesa konkrete të cilat duhet të materializohen në mënyrë të shpejtë. Në mënyrë që deputetët me rekorde të tmerrshme kriminale, deputetët që gjakosën qytetarët e thjeshtë në dyert e komisariatit të mos shkelin më në parlament, në mënyrë që deputetët të cilët përfitojnë fonde publike duke patur kostumin e deputetit nuk duhet të rrinë as edhe një minutë këtu në parlament. Në mënyrë që komisionet hetimore të opozitës të cilët zbulojnë të gjitha aferat e qeverisë, të jenë efektive. Pa u bërë dhe pa u plotësuar këto kushte opozita nuk mund të vazhdojë të rrijë më në këtë parlament.​

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *