“Football Leaks” frikëson botën e futbollit, Mendes punëson hetues privatë

A është Jorge Mendez personi që i ka ofruar 650 mijë euro pjesëtarëve të “Football Leaks” për të ndalur publikimin e disa dokumenteve? Në fakt, kjo hipotezë mund të jetë e saktë, duke parë se pjesa më e madhe e kontratave të publikuara kanë qenë të klientëve të tij. Por për momentin ajo që është e sigurt ka të bëjë me faktin se menaxheri i fuqishëm ka punësuar disa hetues privatë për të zbuluar se kush qëndron mbrapa portalit “Football Leaks”. Kjo është zbuluar nga krijuesi i portalit, i cili e quan veten John (emër i rremë natyrisht), në një intervistë për “Spiegel”, e përditshmja gjermane që ka pasur sukses aty ku kanë dështuar të gjithë (duke përfshirë dhe Mendes): ose më saktë, është takuar me “rebelët e internetit”.

“Nëse do të shisja dokumentet që zotëroj, nuk do të isha më i mirë se ata që denoncoj”, ka thënë ky Robin Hud modern portugez (e ka zbuluar vetë kombësinë, ashtu si edhe faktin se është tifoz i Cristiano Ronaldo) që në vend të harkut dhe shigjetave përdor tastierën, internetin dhe qindra gigabajt, gati për t’u hedhur në rrjet në javët e ardhshme “për t’i zbuluar botës se si ndërmarrja e futbollit po kthehet në një organizatë kriminale, ku asnjë transferim nuk bëhet pa shkelur ligjin”.

John dhe miqtë e tij e dinë mirë se shumë janë gati të bëjnë gjithçka vetëm për t’i gjetur dhe për t’i ndalur. Për këtë arsye nuk qëndrojnë më shumë se dy ditë në të njëjtin vend (intervista është bërë në një qytet të Europës Lindore, emri i të cilit nuk është saktësuar) dhe kanë instaluar një software në telefon që tregon gjithmonë një lokalitet afër Polit të Veriut në GPS. “Nëse do të arrestohemi, kemi marrë masat e duhura për t’u siguruar që publikimi i dokumenteve të vazhdojë”, ka zbuluar më tej John, i cili ka krijuar kopje të të gjitha dokumenteve (“burimet tona janë të sigurta dhe dokumenet që publikojmë autentikë”) dhe i ka fshehur në vende të ndryshme në botë: nëse portali “Football Leaks” nuk merr një kod specifik për shtatë ditë radhazi, një kompjuter do të fillojë të dërgojë dokumente te kutia postare anonime e “WikiLeaks” dhe te disa media të përzgjedhura. “Nuk jam i shqetësuar nga policia, por nga shërbëtorët që janë dërguar nga menaxherët sportivë dhe nga agjencitë e marketingut”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *