OKB: Evropa pranë një krize humanitare

Organizata e Kombeve të Bashkuara paralajmëroi të martën se Evropa është pranë një “krize të vetë-shkaktuar humanitare “, sepse qeveritë e saj janë duke vënë kufizime kufitare dhe nuk po punojnë së bashku, ndërkohë që emigrantët vazhdojnë të hyjnë në kontinent.

Adrian Edwards, zëdhënës i agjencisë së OKB-së për refugjatët, tha se më shumë se 130.000 njerëz kanë kaluar këtë vit Mesdheun, shumica e tyre kanë shkuar në Greqi. Ky numër është barabar me numrin e refugjatëve që në gjashtë muajt e parë të vitit të kaluar hunë në Evropë.

Rreth 24,000 refugjatë dhe emigrantë kanë nevojë për strehim në Greqi, rreth 8,500 prej tyre janë grumbulluar pranë kufirit me Maqedoninë.

Të hënën policia maqedonase hodhi gaz lotsjellës ndaj refugjatëve, të cilët po përpiqeshin të kalonin kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë. Ky veprim nxiti përleshje mes policisë dhe refugjatëve, ndërkohë që qeveritë e vendeve Evropiane po përpiqen të kontrollojnë rrjedhën e njerëzve në territorin e tyre.

UNHCR-ja i bëri thirrje Greqisë dhe vendeve të Ballkanit që të veprojnë shpejt për të parandaluar një katastrofë.

Edwards tha se vendet evropiane vitin e kaluar premtuan se do të pranojnë më shumë se 66.000 refugjatë të cilët ndodhen në Greqi, por deri tani kanë ndodhur vetëm 325 zhvendosje. Ai tha se Greqia nuk mund ta menaxhojë situatën e vetme.

Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk të martën viziton Austrinë si pjesë e një udhëtimi pesë-vendesh për të punuar në drejtim të trajtimit të krizës së emigrantëve.

Austria ka mbrojtur politikën e saj të pranimit të një numri të kufizuar emigrantësh në vend. Kjo, në kombinim me masat e vendosura nga të tjerët më në jug përgjatë rrugës së migrimit, ka çuar në bllokimin e kufirit. Këto kufizime kanë nxitur kritika të ashpra nga grupet e të drejtave të njeriut, OKB-ja dhe vende të tjera të BE-së, veçanërisht Gjermania.

“Kur një vend vendos kufizime, një vend tjetër i vuan pasojat”, tha të hënën kancelarja gjermane Angela Merkel, duke shtuar “kjo nuk është Evropa ime”.

Ajo tha se një zgjidhje e BE-së nuk mund të përfshijë braktisjen e Greqisë, ku tashmë këtë vit kanë mbërritur më shumë se 100.000 emigrantë.

Zoti Tusk do ta përfundojë turneun e tij më një vizitë në Greqi, pas ndalesave në Slloveni, Kroaci dhe Maqedoni. Javën e ardhshme BE-ja do të mbajë një takim me Turqinë, një vend ndaj të cilit është bërë presion për të ndihmuar në ndaljen e rrjedhës së emigrantëve nga Lindja e Mesme në Evropë.

Gjithashtu të martën, ekipet në Kales të Francës vazhduan prishjen e një kampi të improvizuar, ndërkohë që një grup emigrantësh po protestonte. Kampi ka shërbyer si vend strehim për emigrantët të cilët shpresonin të vazhdonin rrugën e tyre drejt Britanisë së Madhe. Në kamp janë strehuar rreth 6,000 njerëz në dhjetor dhe që atëherë numri i tyre ka rënë në rreth 4.000.

Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry tha të hënën se kriza e refugjatëve është një problem për të gjithë botën, dhe se asgjë nuk do të ndihmojë frenimin e rrjedhës së njerëzve më shumë se sa përfundimi i luftës në Siri.

“Kjo është një sfidë globale e jo një problem i dikujt tjetër,” tha ai. “Kjo është një provë për të gjithë ne.”

Sekretari Kerry tha se qëllimi përfundimtar i diplomatëve si ai, është përpjekja për t’u siguruar që njerëzit të mund të jetojnë në paqe në vendin e tyre dhe të mos jenë të detyruar të largohen nga vendi i tyre.

Ai theksoi se “barrën e pabesueshme” të refugjatëve po e mban Turqia dhe fqinjët e tjerë të Sirisë, si Jordania dhe Libani. Së bashku, ata kanë pritur rreth 4,5 milionë refugjatë sirianë. Por vështirësitë e tyre për të përballuar këtë fluks të madh kanë bërë që shumë njerëz të largohen drejt Evropës, në kërkim të një jete më të mirë. Qeveritë e Evropës kanë qenë të kujdesshme, kanë hezituar të pranojnë një numër shumë të madh emigrantësh.

Nga vështirësitë dhe burimet e kufizuara për të pritur emigrantët, Maqedonia javën e kaluar mbylli për pak kohë kufirin e saj. Më vonë ky vend ballkanik e ri-hapi kufirin, por me kontrolle më të rrepta, duke lejuar hyrjen e vetëm disa qindra njerëzve gjatë fundjavës, numër jo i mjaftueshëm për të lehtësuar fluksin e vazhdueshëm të të ardhurve të rinj.  Mijëra njerëz të tjerë vazhdojnë të hyjnë në territorin grek me tragete dhe më pas shumica e tyre nisen drejt veriut të vendit, për të vazhduar rrugëtimin e tyre drejt Evropës Perëndimore./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *