Kryeministri Edi Rama ka pasur një takim me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, në një situatë vërtetë të tensionuar në të dyja vendet. Në Shqipëri, Edi Rama është tashmë i vendosur me shpatulla prej muri, pas revotës së banorëve të Kukësit, për vendosjen e taksës për këdo që kalon në Rrugën e Kombit.
Edhe Kosova preket direkt nga kjo taksë, pasi gjithkujt që kalon në këtë aks, sipas vendimit të qeverisë, do i merret 5 euro për automjetet e vogla dhe 24.5 euro për kamionët. Për shtetasit e Kosovës kjo do të thotë rritje të kostos të trasportit të mallrave dhe automatikisht nënkupton edhe ndikimin në ekonomi. Gjithashtu ka efekt jo vetëm ekonomik por edhe psikologjik për mijëra kosovarë që frekuentojnë bregdetin shqiptar gjatë verës.
Me vendosej e taksës, që është një “tara ndarës” mes dy vendeve, qytetarët e Kosovës në mënyrë demonstrative mund të zgjedhin bregdetin e Malit të Zi apo Kroacisë, duke braktisur “turizmin patriotik” në Shqipëri.
Këto llogari të thjeshta Rama as që i mendoi, por me arrogancë vendosi taksën dhe më pas nisi ironinë se popullit nuk e mban “ngritur”…, shqisën e protestës. Tashmë që zyrat e kompanisë konçensionare që mblidhte taksën u shkrumbuan dhe vendi zien nga dëshira e protestave, Rama po tenton të gjejë shpëtim me Hashim Thaçin.
Nga ana tjetër, Thaçi është vënë përpara reagimit të madh në Kosovë, pas ekstradimit drejt turqisë së 6 shtesave turq mësues të kolegjit “Mehmet Akif” në Kosovë, të dyshuar si Gylenistë.
Të dy liderët, si Rama ashtu edhe Thaçi njihen si “Erdoganistë” dhe takimet e tyre jashtë vendit janë përqëndruar kryesisht në pritjet që i bën Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan, sa në Ankara, aq edhe në Stamboll. Gjithashtu drejtuesit e lartë të Shqipërisë dhe Kosovës kanë treguar se shpesh marrin nisma që bien ndesh me interest e vendit dhe ndikojnë edhe në politikën ndërkombëtare.
Nga situata e krijuar në Shqipëri, ku vendi është në kaos të pashpallur pas revoltës së dhunshme në Kukës, Rama është në ditët e tij më të këqija në pesë vite qeverisje. Duket se situata po i rrëshqet, pasi ka një revoltë masive popullore për arrogancën qeveritare, shtimin e varfërisë në vend, rritjen e taksave dhe ndarja e pasurisë kombëtare brenda një grupi të vogël oligarkësh. Në një situatë të tillë, as Ramës dhe as Thaçit nuk i vjen dot në ndihmë “vëlla Erdogani”.