Pas më shumë se 1 viti protestash në mbrojtje të banesave të tyre, që rrezikojnë të shemben nga një plan i Qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës, banorët e Unazës së Re, kanë mundur të marrin mbështetjen e Avokatit të Popullit. Në një deklaratë të bërë publike, Avokati i Popullit i bën thirrje qeverisë për të dialoguar dhe për të bërë transparente situatën.
Përmes një deklarate, Avokati i Popullit deklaron se në përfundim të hetimeve, rezultuan shkelje thelbësore të të drejtave të njeriut, ndërsa Kuvendit do t’i dërgohet një raport lidhur me problemet e evidentuara.
Vendimmarrja për miratimin e projektit “Rehabilitimi i segmentit rrugor mbikalimi – pallati me shigjeta – rrethrrotullimi Shqiponja”; Procesi i ndjekur nga ana e ARRSH-së; Procedurat e shpronësimit; Veprimtaria e ALUIZNI-t; Bashkëpunimi i Bashkisë Tiranë në process; Roli i IKMT-së dhe IMT në Bashkinë Tiranë; si dhe Transparenca e organeve publike të përfshira në këtë proces, janë disa nga gjetjet e Avokatit të Popullit, lidhur me situatën që mban peng qindra familje në zonën e njohur si Astiri.
“Problematika e shqyrtuar nga ana jonë lidhur me zbatimin faktik të projektit, “Rehabilitimi i segmentit rrugor “Mbikalimi i pallatit me shigjeta – rrethrrotullimi “Shqiponja”, konstaton polarizim të çështjes, si dhe krijimin e konflikteve sociale me pasoja serioze, në kuadër të respektimit të të drejtave themelore të njeriut dhe të krijimit dhe ruajtjes së paqes së nevojshme sociale.
Projektet madhore janë shumë të rëndësishme për t’u zbatuar, pasi kontribuojnë për zhvillimin e mëtejshëm të vendit. Por është i domosdoshëm respektimi dhe zbatimi rigoroz i kuadrit ligjor në fuqi, i cili ekziston dhe është mjaft i gjerë, si dhe proporcionaliteti lidhur me veprimet që ndërmerren, në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës.
Në përputhje edhe me konkluzionet e GJEDNJ: është i nevojshëm ndryshimi dhe përmirësimi i legjislacionit, lidhur me parashikimin e një dëmshpërblimi të arsyeshëm për të gjithë subjektet posedues të objekteve informale që preken nga zbatimi i projekteve për ndërtimin e veprave publike. Në këtë grupim duhet të futen ndërtimet informale për të cilat ka filluar procesi i legalizimit, apo edhe ndërtime te tjera informale, të cilat vërtetohet se janë ekzistuese në kohë, para miratimit dhe zbatimit të projekteve për ndërtimin e veprave publike”, thuhet në reagimin e Avokatit të Popullit.
Sipas tij, dëmshpërblimi i arsyeshëm duhet të konceptohet në kuadër të një procesi shpronësimi specifik në këto raste.
“Ky konkluzion kërkon sjelljen në kohorencë të parashikimeve, si dhe ndërmarrjen e iniciativës legjislative për ndryshime në Ligjin nr.8561, datë 22.12.1999 “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, i ndryshuar dhe për amendime sqaruese, në Ligjin nr.9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar.
Përfundimet e nxjerra nga ana e Avokatit te Popullit në raportin e veçantë duhet të shërbejnë si konkluzione për reflektim nga ana e institucioneve dhe organeve shtetërore përgjegjëse për trajtimin e situatës ne zonen e Astirit.
Institucioni kushtetues i Avokatit të Popullit, më i rëndësishmi me mandaj mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Shqipëri, bën thirrje që tani duhet të jetë momenti i një reflektimi të thellë për të zgjidhur problemet sociale të krijuara tashmë dhe jo për t’i agravuar ato”, thuhet në reagim.