Arta Vorpsi është anëtare e Gjykatës Kushtetuese, pasi Presidentit të Republikës i mbaroi afati 30 ditor që përcakton Kushtetuta.
Kjo u bë e ditur nga Taulant Balla, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, sipas të cilit Vorpsi është automatikisht anëtare e Gjykatës Kushtetuese, pasi renditet e para në listën që i është dërguar Kreut të Shtetit nga KED.
“Presidentit i mbaroi afati kushtetues që javën e kaluar, ndaj është mirë që Kreu i Shtetit të heqë maskën dhe të flasë hapur. Ky është një proces kristal i rregullt dhe aktualisht kemi 3 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, dhe dy i zgjedhim ne si Kuvend, numri shkon në 5”, tha Balla.
Për kreun e deputetëve socialistë, halli i Presidentit nuk është afati kushtetues, ndaj ca gjëra duhet të thuhen hapur.
“Presidenti të heqë maskën dhe ta thotë hapur hallin që ka”, iu drejtua Balla nga foltorja e Kuvendit.