“Fashizëm dhe pabarazi”/ Studenti i vë flakën vetes në universitet, akuza ndaj Macron-it

Një student francez 22-vjeçar ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore pasi i vuri flakën vetes. I riu postoi në rrjetet sociale problemet e tij financiare, vetëm disa orë përpara se të kryente aktin e rëndë para menzës së universitetit në Lion.

Ai fajësonte presidentin Macron, dy paraardhësit e tij, lideren e të djathtës Le Pen dhe Bashkimin Europian, se ishin përgjegjës për vdekjen e tij. Ekipet e ndihmës së shpejtë bëjnë me dije se djali ka pësuar djegje në 90% të trupit. Studenti që ndiqte universitetin e dytë të Lionit, shkroi në Facebook se nuk kishte më mundësi të paguante detyrimet financiare prej 450 eurosh në muaj.

LEXO EDHE  Dy protestues në Hong Kong, në gjendje kritike

“Le të luftojmë kundër ngritjes së fashizmit, i cili vetëm na përçan.. dhe liberalizmit që krijon pabarazi. Akuzoj Macron, Hollande, Sarkozy dhe BE për vrasjen time, për krijimin e pasigurive për të ardhmen e të gjithëve. Gjithashtu akuzoj Le Pen dhe mediat për krijimin e situatave të frikës”, shkruante 22-vjeçari.