BE një klub interesash/ Rama nuk ndalet: Ata kanë interesat e tyre

Evropa është një klub interesash dhe Ballkani nuk duhet të presë zgjidhjen e problemeve të saj por të krijojë lehtësira në lëvizjen brenda rajonit.

Deklarata është bërë nga Kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët për mediat me përfaqësuesit e Serbisë, Bosnjes dhe Maqedonisë pas takimit të dytë të zhvilluar mbi nismën e një mini-Shengeni Ballkanik.

Pas akuzave ndaj kritikë të kësaj nisme dhe veçanërisht liderëve të Kosovës, për të cilët tha se janë vetë-përjashtuar dhe vetë-izoluar, Rama nuk ka kursyer kritikat dhe akuzat ndaj Bashkimit Europian. Kryeministri nuk nguroi t’a quajë BE një klub interesash, ndërsa shtoi se Rajoni është lagjia më e varfër e Europës, që kërkon të shkojë drejt asaj më të pasur.

“Kjo nismë nuk ka lidhje me refuzimin e Bashkimit Evropian. Jemi dakordësuar në Nju Jork për të hapur këtë proces. Ne i kemi dorëzuar në Samitin e Parisit, kancelares Merkel dhe gjithë të tjerëve këtë dokument dhe mbasi në nivelin e lartë politik u pëlqye e morën burokratët në Bruksel e shtrydhën dhe e kthyer në 780 pika. Çfarë lidhje ka në kuptimin e integrimit fakti që do heqim pengesat.

Do presim që të bëhen anëtar të BE-së fermerët që duan të çojnë mollët dhe domatet në Maqedoninë e Veriut. Çfarë faji kanë ata që duan të kalojnë kufirin dhe kontrollohen nga dy palë policë që ndonjëherë të dehin pasi kanë pirë kaq shumë alkool duke pritur integrimin në Bashkimin Evropian. Ku është e keqja për të gjithë ata që duan të punësohen, apo turistët që vijnë në bregdetin tonë me një hyrje jo me katër palë viza.

LEXO EDHE  VIDEO/ Zëri i Amerikës transmeton drejtpërdrejtë protestën te Astiri

Pse duhet të presim integrimin në BE që shqiptarët e Preshevës që diplomohen në Shqipëri të punojnë në vendin e tyre.

Lehtësoni qytetarët dhe bien kauzat false. Unë do ta kisha shumë lehtë të mos vija këtu dhe të sulmoja në rrjet Serbinë. Dihet që kemi një ndasi të prerë me Presidentin e Serbisë, por nuk na pengon për atë se çfarë mund të bëjmë së bashku.

Ne jemi lagjia më e varfër e Evropës dhe duam të integrohemi në lagjen e pasur. Ato kanë interesat e veta. Është një klub interesash. Ne duhet të vazhdojmë të ngremë mure dhe t’i vëmë mina njëri-tjetrin. Çfarë do presim? Do integrohen personalisht. Do marrin rrugën dhe do shkojnë atje. E vetmja e re këtu është që nuk na ka mbledhur Johannes Hahn”, tha Rama.

Shengeni Ballkanik, Rama shpërthen në akuza/ Kosova u vetë-izolua, mos më tregojnë mua “Jugosllavinë e re”