Një grup përfaqësuesish të shoqërisë civile i është drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke kërkuar zyrtarisht nisjen e një procedure për mbledhjen e firmave në mbështetje të një nisme që synon ndryshime në Kodin Zgjedhor.
Nisma, e prezantuar nën emrin “Veprimi qytetar për demokraci funksionale”, parashikon pajisjen me formularin përkatës nga KQZ, i cili do t’u mundësojë organizatorëve fillimin e procesit të grumbullimit të nënshkrimeve nga qytetarët.
Në listën e përfaqësuesve të kësaj nisme bëjnë pjesë Andi Tepelena, Edlira Çepani, Rezarta Caushaj, Edmond Çata, Etleva Merko, Gerta Meta, Ilir Aliaj, Rigels Xhemollari dhe Silvana Bello.

Sipas kërkesës së dorëzuar, nisma mbështetet edhe nga ish-kryetari i KQZ-së Kristaq Kume.
Propozimi parashikon një afat prej tre muajsh për mbledhjen e firmave, periudhë e cila do të nisë të llogaritet vetëm pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të miratojë dhe dorëzojë formularin zyrtar për organizatorët e nismës.














