Ish-komandanti e Flotës Detare, Artur Meçollari, foli sot në protestën e 10-të që po mbahet në Tiranë kundër ndërtimit të resortit luksoz në Zvërnec fillimisht dhe tani dorëheqjen e Ramës.
Meçollari tha se përveç kundërshtisë ndaj investimit në Zvërnec, qytetarët shqiptarë kanë shumë arsye të tjera për të protestuar sot.
“Kjo protestë është momenti historik, por po ndryshojmë mënyrën e të vepruarit, sepse po kuptojmë se një shtet të së drejtës, ligjor e të barabartë, e duam të gjithë. Zvërneci ishte pika e ujit që mbushi gotën. Por Edi Rama kërkoi ta devijonte debatin, duke thënë se s’ka projekt.
Dua t’ju kujtoj aeroportin e Kukësit. Asnjë avion nuk ulet dhe nuk ngrihet, ndërsa koncesioneri merr çdo muaj paratë nga shteti shqiptar për pasagjerët e munguar.
Porti i Durrësit është gjithashtu një krim shtetëror. Është porti i vetëm tregtar në Shqipëri që mban lidhjet rajonale dhe tragetare, por Edi Rama tentoi ta kthente në një port turistik.
Mund të shkojmë në Palasë dhe të shohim çfarë ka ndodhur aty, si është tjetërsuar mjedisi. Mund të shkojmë në Limion, që nga bazë detare u projektua për resort për oligarkët.
Kemi një kryeministër që është kërcënim për sigurinë kombëtare të Shqipërisë dhe të aleancës”,- tha Meçollari.














