Vazhdojnë të mbetet mister nga ana e policisë rrethanat dhe arsyeja e zhdukjes së 34-vjeçari Eglant Koçi.
Sipas policisë, ai është parë për herë të fundit në zonën pranë sheshit “Willson” në kryeqytet, teksa po lëvizte me motorin e tij me targa “CT969”, ku dyshohet se është marrë peng, në rrethana ende të paqarta nga shtetasit, Armand Shakaj, 41-vjeç dhe Enea Zyferi 25-vjeç.
I ftuar në emisionin “Tirana Live”, eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, u shpreh se grupi hetimor po tregohet i kujdesshëm në komunikimin e informacionit, ndërsa puna në terren po vijon.
Sipas tij, kamerat e sigurisë kanë ndihmuar në identifikimin e lëvizjeve të personave të përfshirë dhe në orientimin e kontrolleve të kryera nga policia.
Karamuço theksoi se ende nuk ka të dhëna konkrete për fatin e 34-vjeçarit, ndaj nuk mund të flitet përfundimisht për një viktimë.
Ai shtoi se hetuesit po shqyrtojnë disa pista, përfshirë konflikte të mundshme, detyrime financiare apo aktivitetin e mëparshëm të personave të përfshirë në tregtimin e kriptomonedhave, veçanërisht Bitcoin.
“Ende nuk dihet se çfarë ka ndodhur me të. Kemi një person të arrestuar dhe një tjetër në kërkim, por hetimet janë në zhvillim. Kamerat e sigurisë duket se kanë luajtur rol në orientimin e kontrolleve. Po verifikohen të gjitha mundësitë, nga një konflikt i çastit deri te çështje që mund të lidhen me aktivitetin e tyre si kambistë të Bitcoin apo me borxhe të mundshme”, u shpreh ai.














