Teksa protestat kundër tij kanë kaluar kufijtë e Shqipërisë dhe janë pasqyruar gjerësisht nga media prestigjioze ndërkombëtare si Reuters, CNN dhe The Guardian, kryeministri Rama doli këtë të martë para gazetarëve të huaj në një përpjekje për të kontrolluar narrativën që po ndërtohet jashtë vendit rreth zhvillimeve të fundit politike.
I pyetur për protestën që nisi në Zvërnec dhe që tashmë është shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë së tij, Rama u përpoq ta paraqiste situatën si dëshmi të funksionimit të demokracisë në Shqipëri, duke sjellë në vëmendje edhe ngjarjet e 21 Janarit.
“Pikë së pari, ky është një vend i lirë. Unë vetëm kam qenë pjesëmarrës në protesta dhe e njoh shijen e momentit kur e ke të vështirë të protestosh, e di edhe shijen e gjakut kur protesta ndodh në një mjedis jo të lirë.
Në këtë bulevard, jo një shekull më parë, por vetëm më pak se 20 vjet më parë, apo më saktë, në vitin 2011, katër protestues u vranë me armë sulmuese që i kishin vënë në shënjestër pikërisht nga kjo ndërtesë.
Për mua, është një epokë ndryshe, një moment ndryshe në histori. Është vërtet diçka shumë e mirë që njerëzit të mund të protestojnë pa asnjë problem”, tha Rama.
Kryeministri argumentoi se protesta mori përmasa më të mëdha pas incidentit me rojën e sigurisë ndaj një qytetari në zonën e Zvërnecit, duke theksuar se autoritetet reaguan menjëherë.
“Kjo protestë është provokuar nga një akt i shëmtuar dhune nga një roje sigurie kundër një protestuesi në kufirin e tokës, vendit për të cilin po flasim prej një jave apo më shumë tashmë, për të cilin morëm masa më të ashpra dhe më të shpejta. Roja është arrestuar, drejtori i Policisë së Vlorës u shkarkua dhe njësia e policisë që ishte në terren dhe nuk ndërhyri menjëherë për të ndalur rojën, është vënë nën hetim. Kompanisë së sigurisë i është hequr licenca. Akti i dhunës ndezi ndjenjat, u bë viral dhe çeli rrugën për ngritjen e pikëpyetjeve mbi zhvillimin, pronën dhe projektin”, deklaroi ai.














