Dy turistë gjermanë rezultojnë të humbur prej rreth 48 orësh në zonën e thellë malore të Polisit, në bashkinë e Librazhdit.
Mësohet se ata kishin ndërmarrë një itinerar ecjeje në thellësi të Malësisë së Polisit, por prej dy ditësh kanë humbur kontaktet me guidën që i shoqëronte.
Alarmi është dhënë pranë strukturave të Policisë së Elbasanit, të cilat kanë nisur një operacion kërkimi në terren për lokalizimin e turistëve.
Sipas burimeve paraprake, zona ku dyshohet se ndodhen turistët është mjaft e vështirë për t’u aksesuar dhe karakterizohet nga mungesa e sinjalit të telefonisë celulare. Deri tani nuk është arritur të sigurohet asnjë kontakt me ta, ndërsa nuk ka gjurmë as nga pajisjet GPS që mund të kenë pasur me vete.
Autoritetet policore dhe komuniteti i fshatrave të Njësisë Administrative Polis vijojnë operacionin e kërkimit, ndërsa pritet që orët në vijim të jenë vendimtare për gjetjen e dy turistëve dhe sqarimin e rrethanave të humbjes së kontakteve me ta.














