Për kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, Shqipëria ka hyrë në një krizë të thellë politike dhe institucionale.
Nga Sarajeva, në konferencën e Partisë Popullore Europiane, kryedemokrati komentoi protestat për çështjen e Zvërnecit si lëvizje që po kërcënojnë qeverinë Rama.
“Por sot, siç më pyesni, vendi im, Shqipëria ndodhet në sallën e urgjencës. Është vërtet në një ‘dhomë urgjence’. Po përballet me protesta që nuk janë parë më parë. Dhe mënyra se si kryeministri po i trajton është shumë cinike, madje më shumë se cinike”, tha Berisha.
Sipas Berishës, duhet gjetur një zgjidhje për këtë situatë e cila mund të përkeqësohet.
“Vendi im ka nevojë për një zgjidhje paqësore dhe civile, duke shmangur një përplasje të mundshme që mund ta kthejë vendin shumë vite pas ose në një regres të rëndë. Lëvizja është e pandalshme. Ju them këtë: nuk është vetëm një lëvizje e partisë sime, por është e pandalshme.
Është me rëndësi themelore që kjo të merret seriozisht dhe të gjendet një zgjidhje paqësore, me një qeveri kujdestare që ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Këto janë edhe kërkesat kryesore të tyre, përfshirë edhe dorëheqjen e kryeministrit”, tha kreu i PD.
Kryetari i Partisë Demokratike u shpreh se qeveria nuk mund të vijojë të injorojë protestuesit.














