Në vitin 2022, dokumentari “Tinder Swindler” tronditi gjithë botën me historinë e një mashtruesi që prezantohej si miliarder dhe përmes rrjeteve sociale arriti t’u zhvaste grave nga vende të ndryshme qindra mijëra euro.
Kjo histori dukej si një rast ekstrem, vështirë të besohej se diçka e tillë mund të ndodhte realisht në jetën e përditshme, por asgjë nga ajo çka tregohej në atë dokumentar nuk ishte gënjeshtër.
Madje diçka të ngjashme kanë përjetuar edhe dy gra shqiptare, të cilat janë njohur me dy burra amerikanë përmes rrjeteve sociale, Brian-in dhe James-in. Të dy ata arritën të prekin shpejt zemrat e zonjave, duke ju rrëfyer për jetën e tyre personale, por në fakt qëllimi i tyre i vetëm ishte që t’ju zhvasnin para deri në qindarkën e fundit.
Brian Milton, “amerikani”, i cili punonte si inxhinier, i ka marrë njërës prej grave në fjalë përmes formave të ndryshme të mashtrimit, 27 mijë e 200 euro. Fillimisht, ai ka nisur me shuma të vogla, si 2500 euro dhe më pas ka vazhduar me shuma të frikshme, që arrinin në gati 10 mijë euro. Për ta bërë historinë e tij sa më të besueshme, ai i ka nisur zonjës edhe disa foto, të cilat në të vërtetë i kishte marrë andej këtej nëpër internet. Gruaja anonime tregon për “Piranjat” se për të plotësuar kërkesat e tij për para është detyruar të marrë disa kredi dhe të zhytet në borxhe tek miqtë e saj
Ndërsa, zonja tjetër ka dërguar një mijë euro tek mashtruesi tjetër, që hiqej si mjek nga Amerika. Një ditë ai i ka ofruar asaj disa dhurata të shtrenjta, të cilat do ia dërgonte përmes postës, por fillimisht ajo duhej të paguante një komision, pra një mijë euro. Dhe kështu, gruaja i dërgoi paratë, por personat që qëndronin pas telefonit kërkonin t’i merrnin akoma dhe më shumë. Ata sajuan një histori, që ishin arrestuar papritur, sepse policia kishte identifikuar në pakon e saj dhuratat e shtrenjta dhe 22 mijë dollarë. Për këtë i thanë se ajo duhej të paguante pesë mijë euro ose ndryshe do të arrestohej. Por fatmirësisht, zonja nuk i besoi më mashtrimet e tyre dhe nuk bëri më asnjë dërgesë parash.
Të dyja gratë thanë për “Piranjat” se i kanë përjetuar shumë keq këto situata dhe ju bënë thirrje të gjitha zonjave të tjera, që të tregojnë kujdes me mashtruesit që qarkullojnë online./ Piranjat.al














