Gazetari Andi Bushati ka kritikuar situatën politike dhe institucionale në Shqipëri, duke thënë se vendi nuk funksionon më si një demokraci reale. I ftuar në Ora 19 në SYRI TV, Bushati komentoi takimin e kryeministrit Edi Rama me Luftar Hysën, i cili së fundmi u sanksionua nga SHBA, duke theksuar se SPAK nuk po heton Ramën për çështje të qarta dhe publike.
Sipas Bushatit, takimi me një person të akuzuar për pastrim parash nuk është prova më e rëndë, ndërsa problemi kryesor është se publiku vazhdon të mendojë se jeton në një vend demokratik.
Ai u shpreh se problemi kryesor lidhet me fakti se publiku ende mendon se jeton në një sistem funksional demokratik.
‘Ne akoma sillemi si qenie atavike të një sistemi demokratik. Pra, ne jetojmë akoma me refleksin që, po jetojmë në demokraci dhe në një vend demokratik, kur ndodh një skandal, dikush duhet të mbajë përgjegjësi, të bëjë transparencë dhe të japë llogari.’
Sipas Bushatit, realiteti politik dhe institucional në vend është larg standardeve demokratike.
‘Problemi është që ne duhet të ngulisim mirë në mendje që ne nuk jetojmë më në një vend demokratik. Dhe duke mos jetuar në një vend demokratik, askush nuk jep llogari. Për çdo skandal që ndodh, normalizohet dhe edhe ajo që duhet të bënte bilancet, drejtësia, as nuk ka kërce, as nuk ka fuqi të ndërhyjë.’
Në përfundim, ai theksoi se pyetjet për përgjegjësinë politike dhe institucionale mund të bëhen, por sipas tij, ato mbeten pa përgjigje reale.













