Kryeministri Edi Rama vijon sulmet ndaj drejtësisë, gjatë takimit me banorët e Njësisë 2 në Tiranë, ku prezantoi projektbuxhetin 2026, kryeministri sulmoi ashpër trupën gjyqësore, duke i quajtur “ose të korruptuar, ose injorantë” për mënyrën si trajtojnë hapësirat publike të zaptuara.
Edhe pse qeveria e tij ka më shumë se një dekadë në pushtet, Rama e paraqiti edhe një herë situatën sikur vetëm tani po zbulon ndërtimet në hapësirat publike.
Ai tha se vendimet e gjykatave janë arsyeja kryesore pse këto zona nuk mund të përdoren për ndërtimin e kopshteve, çerdheve apo shkollave, duke pretenduar se disa biznese përfitojnë padrejtësisht nga mbështetja e gjyqtarëve.
Duke e cilësuar situatën si “absurde”, Rama pranoi se “nuk është normale që kryeministri të tregojë me gisht një gjyqtar”, por tha se është i detyruar t’u shpjegojë qytetarëve arsyen pse hapësirat publike nuk çlirohen.
“Kemi arritur që kur bëhet një ndërtim në një pronë, flasim për ndërtim banesash, dhe pronarët bëjnë një marrëveshje me një ndërtues, gjithçka që është rreth ndërtimit, nuk është më e pronarit dhe as e ndërtuesit, është e komunitetit.
Këto probleme të trashëguara nuk janë zgjidhur më parë dhe sot hasin vështirësi për shkak të injorancës dhe korruptimit të gjykatësve.
Njëra nga të dyja ose të dyja së bashku sepse duhet të jesh o injorant ose i korruptuar që t’ia mohosh komuniteteve që të drejtën për të pasur hapësirat e tyre, që iu njohin ndërtueseve një të drejtë që nuk iu takon.
E di që nuk është normale që kryeministri të tregojë me gisht një gjykatës duke i treguar fotografinë dhe duke i thënë që ka bërë një akt armiqësor.
Ama për mua është e rëndësishme që të gjithë ata që ankohen, që një lokal i zë rrugën për të dalë nga shtëpia, të mendoje që ai lokali atje nuk prishet sepse nuk do x apo y apo se është korruptuar inspektorati.
Kur në fakt e vërteta është se ai lokali nuk prishet se gjykatësi i ka dhënë të drejtën të rrijë aty dhe të bëjë biznes në kurriz të komunitetit”.














