Prokuroria e Posaçme ka reaguar pas deklaratës së Sali Berishës i cili u shpreh se nuk ka marrë një fletëthirrje nga SPAK për çështjen e 21 janarit.
Sipas raportimeve në media, SPAK pretendon se në adresë të Berishës janë dërguar dy fletëthirrje të cilat janë refuzuar. E para është nisur më 3 nëntor 2025 në adresën e banesës, me kërkesën për t’u paraqitur në SPAK më 7 nëntor. Por ky dokument është kthyer mbrapsht me shënimin: “Rojet janë autorizuar të mos marrin asnjë zarf”.
Pas këtij refuzimi, më 7 nëntor Prokuroria ka dërguar një tjetër urdhër-thirrje në tre destinacione: banesë, Partinë Demokratike dhe Kuvendin e Shqipërisë, me datë paraqitjeje më 14 nëntor.
Më 9 nëntor është refuzuar sërish marrja e zarfit në banesë, ndërsa më 12 nëntor Shërbimi i Burimeve Njerëzore dhe Trajtimit të Deputetëve njoftoi SPAK-un se stafi politik i grupit parlamentar të Partisë Demokratike ka refuzuar dorëzimin e njoftimit në Kuvend.
Përtej kanalit fizik, SPAK pretendon se më 10 nëntor ka dërguar urdhër-thirrjen edhe në adresën zyrtare të emailit: [email protected].
Ndërkohë vetë Berisha i ka hedhur poshtë këto deklarata të SPAK, duke i cilësuar si të pavërteta. Sipas Berishës deklarat e SPAK është gënjeshtër absolute, pasi në adresë të tij nuk ka ardhur asnjë fletëthirrje.














