Mirë se vini në Triportin e Vlorës, aty ku po ndërtohet porti i ri tregtar që synohej të sillte zhvillim dhe të shërbente si nyje për mallra dhe pasagjerë, por që mesa duket përfundoi duke sjellë përfitime private dhe shumë pikëpyetje publike. Por le ta nisim nga fillimi.
Më 10 gusht të vitit 2021, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpalli koncesionin “Për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e Portit të Integruar në Triport Vlorë”. Kompanitë që morën pjesë në këtë tender ishin tre (doc), por fituese u shpall oferta e bashkimit të këtyre 5 subjekteve: Agbes Construction, që zotëronte 33% të aksioneve; Besta 30%; Arconstudio 25%; ITE Group 8% dhe Premium Construction & Maintenance 5%.
Sipas ofertës, ky bashkim kompanish do të ndërtonte portin e ri tregtar të Vlorës me paratë e tyre dhe, në këmbim, qeveria do t’u paguante 60 milionë euro me këste për 7 vjet, menjëherë pas përfundimit të ndërtimit. Në pamje të parë, çdo gjë dukej në rregull.
Një muaj pas firmosjes së kontratës koncesionare, 5 kompanitë krijuan shoqërinë “Vlora Harbor Construction and Maintenance”, por menjëherë pas themelimit, gjërat morën një tjetër rrjedhë. Në shtator të vitit 2022, Agbes Construction, e cila ishte aksionerja më e madhe e koncesionit, i shiti kuotat e saj për 100 mijë euro te shoqëria Premium Construction & Maintenance. Një muaj më pas largohet edhe një tjetër aksioner. Arconstudio i shiti 25% të aksioneve të tij për 2 500 euro. Blerësi ishte sërish Premium Construction & Maintenance. Pak kohë më vonë largohet edhe një aksioner tjetër, Besta, e cila i shiti 30% të aksioneve të saj për vetëm 3 mijë euro.
Blerësin besoj se e merrni me mend tani… Premium Construction & Maintenance, e cila me 3 blerjet u bë pronare e 92% të aksioneve, për një çmim total prej 105 mijë euro. 8% zotërohet nga ITE Group.
Por le të ndalemi te Premium Construction & Maintenance, që nga emri tingëllon si një kompani serioze ndërkombëtare, por nga një kërkim i thjeshtë në Qendrën Kombëtare të Biznesit rezulton se kjo shoqëri ka një kapital fillestar prej vetëm 10 mijë lekësh dhe, si për rastësi, është themeluar vetëm 2 muaj para shpalljes së tenderit të koncesionit.
Por kush është pronari i kësaj kompanie “prestigjioze”?
Sipas dokumenteve zyrtare, rezulton të jetë Hektor Agalliu, i datëlindjes 1975, aktualisht pensionist, me origjinë nga Terpani i Beratit, i cili është njëkohësisht edhe punëtor i thjeshtë në firmën Salillari.
Pra, rrjedhimisht del se bëhet fjalë për një njeri pa eksperiencë në ndërtim, pa staf, pa mjete, pa histori biznesi, por mesa duket me diçka që në Shqipëri vlen më shumë se gjithçka tjetër: lidhjet e duhura.
Lind pyetja: Kush është pronari i vërtetë i këtij projekti 60 milionë euro?/Prianjat.al














