Sanksionet e vendosura ndaj biznesmenit Luftar Hysa kanë bërë jehonë në mediat e huaja. Pas medias spanjolle e cila analizonte se si u bë Hysa objektiv i Thesarit amerikan, edhe media franceze i ka kushtuar një artikull.
Le Journal De Montreal, përshkruan veprimtarinë e Hysës dhe familjes së tij si dhe lidhjet me kartelet e drogës, ndërsa raporton se në vitin 2024 këtij biznesmeni i është mbyllur një kazino.
Artikulli i plotë
Një banor i ishullit të Montrealit, i dyshuar se qëndron pas një kazinoje të paligjshme në Kahnawake, sapo është shtuar në një listë të zezë të qeverisë amerikane, e cila e konsideron pjesë të një organizate kriminale që pastruar paratë e kartelit të Sinaloas. Departamenti Amerikan i Thesarit njoftoi të enjten një seri sanksionesh kundër Luftar Hysës.
58-vjeçar me shtetësi shqiptare zotëron një shtëpi luksoze në Mont-Royal që nga viti 2008.
Qeveria amerikane e konsideron tani Hysën dhe katër anëtarë të tjerë të familjes së tij si “një organizatë kriminale transnacionale të rëndësishme”, thuhet në një komunikatë.
Grupi “ka përdorur ndikimin e tij përmes investimeve ose kontrollit mbi disa biznese të bazuara në Meksikë, përfshirë kazino dhe restorante , për të pastruar fitimet nga trafiku i drogës”, thonë autoritetet amerikane.
Departamenti i Thesarit beson gjithashtu se grupi “vepron me miratimin e kartelit të Sinaloas, i cili mban kontrollin kriminal mbi shumicën e territorit ku zhvillon aktivitetet e tij”.
Karteli i Sinaloas është një nga më të fuqishmit në Meksikë. Bashkë-themeluesi i tij, Ismael Zambada García, alias “El Mayo”, u arrestua në korrik 2024 në Teksas. Ai pranoi fajësinë për menaxhimin e një organizate kriminale dhe rrezikon burgim të përjetshëm.
Asetet e ngrira
Dy biznese të lidhura me Luftar Hysën, të bazuara në Montreal, janë gjithashtu objekt i veprimeve të qeverisë amerikane.
Konkretisht, të gjitha pasuritë amerikane të organizatës që autoritetet e quajnë “Grupi i Krimit të Organizuar Hysa” janë tani të bllokuara, dhe qytetarëve amerikanë apo personave në territorin amerikan u ndalohet të bëjnë biznes me ta.
Autoritetet gjithashtu identifikuan 10 kazino meksikane të drejtuara nga Hysa dhe grupi i tij, që supozohet se janë “përdorur për vite për të lehtësuar pastrimin e parave në favor të kartelit të Sinaloas”.
Kazinoja e mbyllur
Në tetor të 2023, gazeta La Presse zbuloi se GRC-ja (Xhandarmëria Kanadeze) po ndiqte nga afër aktivitetet e Luftar Hysës, të cilin e dyshonte për riciklim të të ardhurave kriminale.
Në mars të 2024, Komisioni i Lojërave të Kahnawake urdhëroi mbylljen e kazinosë Magic Palace, e vendosur pranë rrugës 132 afër urës Mercier, për shkak të dyshimeve mbi praninë e Hysës mes aksionarëve.
Në deklarata publike, Hysa ka pohuar gjithmonë se respekton ligjet, dhe se pretendimet e GRC-së, Komisionit të Lojërave të Kahnawake dhe qeverisë amerikane nuk kanë sjellë ende akuza penale.














