Një histori mashtrimi dhe shantazhi virtual ka prekur një vajzë 17-vjeçare shqiptare që jeton në Greqi.
Xhesika tregon se gjithçka nisi krejt rastësisht, kur vendosi të hapte një llogari në rrjetin social Snapchat, si shumë bashkëmoshatarë të saj.
“Atje njoha një vajzë që quhej Ana Xheladinaj. Flisnim shpesh, derisa më tha nëse doja të njihesha me vëllain e saj, Merdianin. Fillimisht refuzova, por ajo këmbënguli dhe unë pranova,” rrëfen Xhesika.
Pas pak ditësh komunikimi në WhatsApp, vajza filloi të besonte tek Merdiani, i cili i tha se ishte 18 vjeç nga Tetova. Ai i fliste me ëmbëlsi, i premtonte dashuri dhe një të ardhme së bashku. Por shumë shpejt, e mitura nisi të vërente mospërputhje në ato që ai tregonte.
“E vura në provë. Hapa një Instagram tjetër me një emër fallco dhe i shkruajta. Më tha se ishte 20 vjeç dhe ndryshoi shumë gjëra nga ato që më kishte thënë mua. Aty fillova të dyshoj,” thotë ajo.
Por historia mori një kthesë edhe më të errët, kur në biseda u përfshi një person i tretë me emrin Qemal, që pretendonte se dinte sekrete për jetën e Xhesikës. Ai e kërcënoi se do t’i tregonte familjes së saj nëse ajo nuk i dërgonte Merdianit foto dhe video me përmbajtje +18.
“Qemali më shkruante mesazhe të tmerrshme. Por shumë gjëra që ai dinte, i dinte vetëm Merdiani. Kuptova që ishin e njëjta person,” tregon vajza.
Në fakt, pas verifikimeve, rezulton se “Qemali” dhe “Merdiani” ishin i njëjti person, që luante me dy identitete për ta manipuluar dhe frikësuar vajzën.
Kur Piranjat përballen me Meridian Ramazanin, ai nuk pranon se ka përdorur disa llogari të rreme. Ndërkohë, nga dokumentet që redaksia ka siguruar, rezulton se ai është 20 vjeç, dhe jo 18 siç kishte deklaruar tek vajza.
Pasi u përball me faktet, Merdiani e mbylli bisedën me një justifikim absurd, duke pretenduar se “familja e tij ishte në rrezik”./Piranjat














