Policia e Elbasanit ka arrestuar dy të rinj të dyshuar për dhunë dhe veprimtari të paligjshme financiare.
Në pranga kanë rënë shtetasit me iniciale P. G., 21 vjeç, dhe D. S., 23 vjeç, të dy banues në Elbasan.
Sipas hetimeve, gjatë dy muajve të fundit ata kanë ushtruar dhunë fizike dhe kanosje ndaj dy personave, babë e bir, me qëllim që t’i detyronin të kthenin shumën e parave të dhëna me fajde.
Të arrestuarit rezultojnë me precedent penal në fushën e narkotikëve, armëmbajtjes pa leje dhe krimeve kundër personit. Gjatë operacionit policor u sekuestruan një automjet dhe tre celularë, të dyshuar si të përdorur në veprimtarinë kriminale.
Seksioni për Hetimin e Krimeve ndaj Pasurisë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Elbasan, po vijon punën për dokumentimin e rasteve të tjera të dhënies së parave me fajde nga të njëjtët persona.
Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme. Dy të rinjtë do të përballen me akuzat për “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim, si dhe për “Ushtrim pa licencë i veprimtarisë bankare”














