Të tjera detaje janë bërë publike nga arsenali i armëve që u gjet në zonën e Niklës, vetëm tre ditë pas atentatit në Rinas, ku u vra Gilmando Dani.
Raportohet se janë gjetur municione të ndryshme si armë automatikë, mitraloz, granata, fishekë të kalibrave te ndryshme, fitil zjarr përcjellës, granata si dhe lëndë plasëse të lidhura me celularë për shpërthime në distancë.
Policia ka identifikuar një nga personat që posedonte këtë arsenal armësh dhe po punon për kapjen e tij.
Si ndodhi atentati
Gilmando Dani, 47- vjeç u ekzekutua të martën e 11 nentorit në dalje të aeroportit të Rinasit, një zonë e populluar dhe me prani të shumtë të forcave të Policisë së Shtetit në Tiranë. Një person i dytë, Muçi Shaljani efektiv i AMP, 40 vjeç, mbeti i plagosur.
Krimi ndodhi rreth orës 14:20, kur makina me të cilën udhëtonte Dani u qëllua me një breshëri plumbash nga persona ende të paidentifikuar.
Sipas Policisë së Tiranës, Dani ndërroi jetë në vend, ndërsa Shaljani u transportua në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
Gilando Dani ka rekorde të hershme kriminale dhe njihet si një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Emiljano Shullazit, një personazh i krimit të organizuar. Ata u dënuan së bashku në nëntor të vitit 2018 nga Gjykata e Krimeve të Rënda për zhvatje pasurie, kërcënim dhe grup të strukturuar kriminal.
Dani u dënua me 12 vjet burg dhe u lirua nga qelia në tetor të vitit 2024 pas përfundimit të dënimit. Sipas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, Dani u dënua si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal dhe kërcënimin e biznesmenëve Ylvi Beqja dhe Jani Zarka.
Ndërkohë, grupi u shpall i pafajshëm për akuzën e kërcënimit të rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynur Koni dhe ish-rektorit Dhori Kule, si dhe për vendosjen e tritolit në garazhin e biznesmenit Jani Zarka.














