Banorët e Maminasit kanë ngritur alarmin për një situatë të rëndë mjedisore, e cila sipas tyre përsëritet çdo natë.
Ata denoncojnë se në orët e vona, kur zona është e qetë dhe njerëzit janë në gjumë, mbi rrugën dytësore të Maminasit shpërndahet një re e dendur tymi, që dyshohet se vjen nga fabrika e tullave pranë zonës.
Sipas banorëve, tymi i prodhuar gjatë natës është aq i rëndë dhe i dëmshëm, sa e bën të pamundur hapjen e dritareve apo frymëmarrjen normale. “Njerëzit flenë dhe helmimi vazhdon. Nuk mund të hapim dritaret, nuk mund të marrim frymë normalisht. Çdo natë e njëjta histori,” shprehet një banor për JOQ.
Prej kohësh, komuniteti i zonës thotë se përballet me këtë ndotje të heshtur, ndërsa deri më tani nuk është marrë asnjë masë konkrete për ta ndalur.
Ata kërkojnë monitorim të situatës, matje të nivelit të ndotjes dhe transparencë mbi përbërjen e tymit që shpërndahet në ajër.
Banorët paralajmërojnë se fëmijët dhe të moshuarit janë më të rrezikuarit nga kjo ndotje, e cila sipas tyre po kthehet në një kërcënim serioz për shëndetin publik. “Nuk mund të jetojmë më nën helmim,” shprehen ata, duke apeluar për veprime të menjëhershme.
Ngjarja hedh sërish dritë mbi problemin e vjetër të ndotjes industriale në zonat periferike, ku aktivitetet e fabrikave shpesh zhvillohen pa kontroll të plotë nga autoritetet.
Banorët kërkojnë që situata të trajtohet sa më shpejt, përpara se dëmet në shëndet dhe mjedis të bëhen edhe më të rënda.














