Nga Boldnews.al
Imagjinojnë se tre atletë përgatiten për një garë të rëndësishme vrapimi. Për fituesin është një premio shumë e konsiderueshme, rreth 800 mijë euro. Vrapuesit përgatisin të gjithë dokumentacionin e regjistrimit dhe bëhen gati të tregojnë vlerat e tyre në pistë.
Por, sapo vendosen në vijën e startit, dy prej tyre kujtohen se kanë “harruar” atletet dhe, rrjedhimisht, nuk mund të nisin vrapin. Natyrisht, garën e fiton konkurenti i tretë në garë. Ai ka veshur atletet dhe nuk shpenzon shumë energji për të dalë fitues. Ai e ka fitoren në xhep dhe, kështu ndodh.
Një situatë me përmbajtje të ngjashme ka ndodhur, në realitet, në një tender me fond rreth 800 mijë euro (76.318.440 lekë të reja), të zhvilluar së fundmi nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), një strukturë qeveritare e drejtuar nga Mirlinda Karçanaj.

Objekti i procedurës së prokurimit publik ishte “Mirëmbajtja e Sistemit elektronik e-Inspektimi për Inspektoratin Qendror”. Tenderi u shpall në 1 shtator 2025 dhe rezultatet e tij u publikuan në 7 nëntor.
Garë “pa garë”
Dokumentat zyrtarë të konsultuar nga “Boldnews.al” tregojnë se në garë kanë marrë pjesë tre operatorë ekonomikë.
Njëri prej tyre ishte bashkimi i operatorëve “Infosoft System” dhe “Infosoft Bussines Solution”. Dy kompanitë, të cilat kanë origjinë të njëjtë historike, kanë paraqitur ofertë ekonomike në shumën 73.200.000 lekë të reja (rreth 20 mijë euro më pak se fondi limit).
Konkurentët e tjerë në garë ishin subjektet “Ikub Info” dhe “Noal” shpk. Të dy këto operatorë ekonomikë janë paraqitur në tenderin e AKSHI-it me ofertë ekonomike “zero lekë”, duke mos plotësuar kushtin më thelbësor të një tenderi publik.

Në këtë mënyrë, rrjedhimisht “Ikub Info” dhe “Noal” janë skualifikuar nga gara, duke i lënë terren të lirë konkurentit të tretë në tender, “Infosoft-it” për të fituar, si pjesëmarrësi i vetëm i mbetur në procedurë.
“Dhuratë” nga rivalët?
“Boldnews.al” ka raportuar shpesh mbi procedurat tenderuese dhe ka konstatuar shpesh se konkurentë të ndryshëm përfshihen në tendera me ofertë “zero lekë”, me qëllim për të qenë të pranishëm në procedurë e për të kuptuar se në cilat vlera “luajnë” rivalët e tyre në biznes.
Kjo është një lloj mënyrë e përhapur dhe e njohur në biznes. Megjithatë, në rastin konkret, të paktën njëri prej dy operatorëve të skualifikuar, “Ikub Info”, është aktor i rëndësishëm në tenderat publikë në fushën e teknologjisë së informacionit. Bazuar në këtë aktivitet, presupozohet se ka njohuritë e nevojshme për situatën e tregut.

Nga ana tjetër, edhe “Noal”, megjithëse një shoqëri më e re në treg se dy të tjerat, sërish supozohet se ka informacionin e nevojshëm për çmimet në tregun e IT.
Përtej hamendësimeve, fakti është qëdy operatorët ekonomikë kanë vendosur të hyjnë në tender me ofertë “zero lekë”, ndoshta për të kuptuar çmimet e “Infosoft-it” e për t’i pasur parasysh në tendera të ngjashëm në një kohë më të vonë. Apo është një “dhuratë” për “Infosoft-in”?














