Në fund të shtatorit të këtij viti emisioni “Stop” në Tv Klan transmetoi denoncimin e Florenca Zeqos.
Ajo tregoi se prokurorja Esmeralda Basho i kishte sekuestruar padrejtësisht makinën, një BMW X5 me vlerë 20 mijë euro pa qenë pjesë e ndonjë procedure penale ndaj saj.
Gjykata nxori urdhër të prerë për kthimin e mjetit, por prokurorja Basho refuzoi ta kthejë makinën duke u nxjerrë pretendime të rreme.
Gjatë verifikimeve në pikën e sekuestrimit në Sarandë, policia konfirmoi se nuk kishte marrë asnjë urdhër për kthimin e makinës.
Gazetari: Ka nxjerrë urdhrin prokurorja të një makine BMW X5 me targa greke…
Polici, pika e bllokimit Ksamil: Mua s’më ka ardhur gjë…se ne na vjen e firmosur nga shefi i komisariatit. Si lëshon urdhrin prokurorja, shkon në komisariat, firmoset, vjen i zoti këtu, e merr.
Gazetari: Domethënë duhet ta çojë prokuroria në komisariat i bie?
Polici, pika e bllokimit Ksamil: Po, po, po…
Gazetari: Ajo (prokurorja) thotë që ka nxjerrë urdhrin që në 31 gusht 2025?
Polici, pika e bllokimit Ksamil: Jo mo, s’ka shanse, nuk ka shans. Sa vjen letra e firmosur nga shefi i komisariatit. Po erdhi pa firmën e shefit, unë nuk e nxjerr.
Kur Basho u pyet pse e mbante makinën të bllokuar, ajo gënjeu duke thënë se ka nxjerrë urdhrin e zhbllokimit.
Gati dy muaj pas transmetimit, automjeti i bllokuar nuk është kthyer. Tre ish-prokurorë, Eugen Beci, Gentjan Ternova dhe Ervin Karanxha shpjegojnë detyrimin ligjor që ka prokurori për të ndjekur ekzekutimin e vendimit që nxjerr vetë.
/Emisioni STOP














