Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, ka folur në emisionin “Now” në Euronews, lidhur me vendimin e kreut të PD-së për të organizuar një protestë më 17 nëntor përpara Kryeministrisë.
Xhaferri theksoi se protesta do të jetë paqësore dhe do të shërbejë si një thirrje qytetare për të gjitha çështjet që opozita i konsideron problematike.
Sipas tij, kjo nuk do të jetë një protestë e vetme, por fillimi i një sërë reagimesh të vazhdueshme nga opozita. Deputeti nënvizoi se bojkoti parlamentar nuk është në plan.
“Do jetë një thirrje për një protestë paqësore për të gjitha zhvillimet e fundit që janë të shumta. Parlamenti është gjëja dytësore.
Kauza është kapja e shtetit. Tani është detyrë e qytetarëve të dalin në protestë”, deklaroi Xhaferri.














