Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka njoftuar sot dorëheqjen nga posti që mbante prej katër vitesh në krye të partisë.
Lajmin ai e bëri të ditur në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, ku u shpreh se vendimi vjen pas një reflektimi të gjatë mbi të ardhmen e forcës politike që ka drejtuar.
“Ka qenë nder i madh të udhëheq Partinë Demokratike të Kosovës. Së bashku kemi kaluar shumë sfida dhe kemi arritur rezultate të rëndësishme. Megjithatë, një parti që beson në zhvillim, duhet të besojë edhe në ripërtëritje”, deklaroi Krasniqi.
Ai theksoi se PDK është forcuar ndjeshëm gjatë mandatit të tij, por shtoi se çdo organizatë politike ka nevojë të krijojë hapësirë për gjenerata të reja dhe ide të reja.
“Një lidership që kërkon ndryshim për Kosovën, duhet të ketë guximin të sjellë ndryshim edhe brenda vetes. Prandaj, kam vendosur të jap dorëheqje nga pozita e Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës,” përfundoi ai.














