Një person ka rënë në prangat e policisë së Tiranës, ndërsa dy të tjerë janë proceduar penalisht, pasi akuzohen se mashtronin qytetarët përmes rrjeteve sociale, duke përdorur emrin dhe logon e “Bankës Kombëtare Tregtare”.
Në kuadër të operacionit u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i shtetasit Orlando Gjoka 21 vjeç, banues në Laç, si dhe u proceduan penalisht, në gjendje të lirë, shtetasit D. G., 23 vjeç dhe E. Gj., 21 vjeç.
Uniformat blu informojnë se Orlando Gjoka kishte krijuar një profil të rremë në rrjete sociale, duke përdorur logon dhe emrin e Bankës Kombëtare Tregtare, me qëllim mashtrimin e qytetarëve.
Ai kontaktonte qytetarët, përmes platformave të ndryshme online, duke iu ofruar kredi të rreme pranë bankës, ndërsa nëpërmjet aksesit të paautorizuar në llogaritë e tyre bankare, arrinte të boshatiste fondet.
Në rastet kur llogaritë nuk kishin para, ai i shtynte qytetarët të depozitonin shuma nga 750 deri në 1 500 euro, me premtimin e rremë të një kredie prej 15 000 eurosh.














