Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur sot vendimin në ngarkim të të pandehurve Ilir Nishani, vëllai i ish presidentit Bujar Nishani, Gerson Tafa dhe Genci Hicka, të cilët u kallëzuan në SPAK nga mjeku Kostandin Balloma, i Luis Medical Center.
Kujtojmë që në janar 2020, mjeku Kostandin Balloma ka kallëzuar në SPAK 3 inspektorët për korrupsion. Sipas mjekut, Hiçka, Tafa dhe Nishani ishin inspektor të Ministrisë së Mjedisit, dhe i kishin kërkuar klinikës ku punonte Balloma 30.000 lekë.
Vendimi për tre zyrtaret
– Ilir Nishani u deklarua i pafajshëm për akuzën e “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, pasi nuk u provua kryerja e veprës penale.
– Gerson Tafa u shpall fajtor për kryerjen e të njëjtës vepër penale, parashikuar nga neni 259/1 i Kodit Penal, dhe u dënua me 2 vite burgim. Megjithatë, në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vënien në provë për 24 muaj, me kusht që gjatë kësaj periudhe ai të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të qëndrojë në kontakt me Zyrën e Shërbimit të Provës. Gjykata vendosi gjithashtu heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.
– Genci Hicka u shpall po ashtu i pafajshëm, pasi nuk u provua përfshirja e tij në kryerjen e veprës penale të korrupsionit pasiv në bashkëpunim.














