Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, ka komentuar në News24 zhvillimet më të fundit lidhur me marrjen si të pandehur të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Në fjalën e tij, Alimehmeti kërkoi një reagim më të fortë dhe më të vendosur nga opozita përballë kësaj çështjeje, të cilën e cilësoi si një skandal të përmasave të mëdha.
“Opozita duhet të flasë më shumë për çështjen Balluku dhe të ndërmarrë veprime konkrete. Nuk mjaftojnë vetëm fjalët. Po flasim për një situatë të qartë, me një fond prej 50 milionë eurosh, dhe kush e di sa elementë të tjerë të dyshimtë ka pasur pas kësaj,” u shpreh ai.
Alimehmeti ngriti gjithashtu shqetësimin për dy standarde të drejtësisë, duke krahasuar rastin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, me atë të zëvendëskryeministres.
“Veliaj është arrestuar më 10 shkurt, për një akuzë të ngritur në 23 korrik, pra më shumë se gjashtë muaj më vonë, dhe u vendos në arrest me burg. Nga ana tjetër, Balluku ka një akuzë për 50 milionë euro, por ndaj saj nuk është marrë asnjë masë sigurie. Ajo mund të prishë prova, të ndikojë në hetime, apo edhe të arratiset. Këtu kemi një trajtim krejt të ndryshëm,” tha Alimehmeti.














