Personi në foton e mëposhtme është Dalan Alliaj, 36 vjeç, i cili mbeti i vrarë mbrëmjen e djeshme në fshatin Gjorm të Vlorës. Ai u qëllua me 6 plumba përpara banesës së kushëririt të tij, Bertil Alliaj, 32 vjeç.
Familjarët e gjetën trupin e pajetë dhe e dërguan në spital, por pa shenja jete. Pas ngjarjes, autori u arratis drejt zonës malore të Gjormit, ndërsa policia organizoi një operacion të gjerë kërkimi me përdorimin e dronëve për kapjen e tij.

Rreth orës 01:05 të mëngjesit, pas pesë orësh ndjekjeje, Bertil Alliaj u lokalizua dhe u arrestua nga forcat e rendit. Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjet një armë zjarri e llojit “Beretta FS92”, e dyshuar si arma e krimit, së bashku me një krehër dhe 10 fishekë.
Në vendngjarje u sekuestruan 6 gëzhoja dhe një predhë. Para hetuesve, Alliaj është shprehur: “E vrava për një arsye të fortë që s’mund ta them tani. Ndoshta në një moment tjetër do të flas, por ende nuk jam gati.”
Bertil Alliaj rezulton person në kërkim prej vitesh dhe i dënuar me 35 vite burg për vrasje në rrethana cilësuese dhe armëmbajtje pa leje, në lidhje me masakrën e Çoles në vitin 2015.
Menjëherë pas arrestimit, ndaj tij u ekzekutua vendimi i dënimit të formës së prerë. Ndërkohë, viktima Dalan Alliaj ishte administrator i kompanisë “Allidagu” në Fier, me aktivitet në fushën e prodhimit dhe tregtisë së ushqimeve, mbarështimit të kafshëve dhe tregtisë së automjeteve. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të motiveve të kësaj ngjarjeje të rëndë.













