Sot mbahen homazhet në nderim të ish-kryeministrit Fatos Nano që u nda nga jeta dy ditë më parë në moshën 73-vjeçare.
Arkëmorti me trupin e tij spao ka mbërritur në Pallatin e Kongreseve ku do të mbahen homazhet në nderim dhe në respekt të kontributit të tij të çmuar në jetën publike dhe politike të vendit.
Sipas agjendës, homazhet do të nisin në orën 08:30 – 11:00 ndërsa homazhet shtetërore dhe nderimi nga personalitetet do të mbahen në orën 11:15 – 11:45.
Është parashikuar që në orën 12:00, në nderim të tij, do të ndërpriten të gjitha veprimtaritë dhe do të mbahet një minutë heshtje në mbarë vendin, ndërsa 5 minuta më pas në orën 12:05 të zhvillohet ceremonia funebre shtetërore e lamtumirës për ish kreun e PS dhe ish- kryeministrin.
Në hollin e Pallatit të Kongreseve janë të pranishëm familjarë të Fatos Nanos, mes tyre bashkëshortja e tij, Xhoana Nano, të afërm dhe miq të ngushtë të familjes.
Homazhet do të vijojnë gjatë paradites, ku qytetarë, miq dhe përfaqësues të institucioneve do të kenë mundësi t’i japin lamtumirën e fundit një prej themeluesve të Partisë Socialiste dhe ish-kryeministrit që ka lënë gjurmë në tranzicionin politik të vendit.
Ceremonia funebre do të pasohet nga një shërbim zyrtar në prani të autoriteteve të larta të shtetit dhe përfaqësuesve të Trupit Diplomatik. Pas përfundimit të ceremonisë shtetërore, kortezhi do të përcjellë trupin e të ndjerit drejt banesës së fundit, në një ceremoni private familjare














