Nga Boldnews.al
Hetimi për Tunelin e Llogarisë, i cili deri më tani ka marrë të pandehur zv.kryeministren Belinda Balluku për “shkeljet të barazisë në tendera”, përfshin në skandal edhe Policinë e Vlorës dhe Inspektoratin Kombëtar dhe atë Vendor të Ndërtimit.
Për tre vjet rresht, prej vitit 2022, asnjë nga strukturat policore ose ato të mbrojtjes së territorit, nuk kanë konstatuar se ndërtimi i veprës publike me kosto 180 milionë euro, po kryhej pa leje ndërtimi.
Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), i drejtuar nga kryeministri Edi Rama, miratoi në 26 Prill 2022 propozimin e ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, lejen e ndërtimit për Tunelin e Llogarasë.

Miratimi i lejes, në parim, detyron kompanitë sipërmarrëse që të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm, përfshirë dëshmitë për përmbushjen e kriterit teknik dhe financiar. Pas plotësimit të tyre, leja e ndërtimit zbardhet dhe, prej këtij momenti, subjektet private mund të nisin nga punimet.
Por, në rastin e Tunelit të Llogarasë, situata është përmbysur tërësisht. Dokumentat tregojnë se leja e ndërtimit është zbardhur tre vjet pas miratimit të saj, në 28 Maj 2025. Leja e zbardhur është nënshkruar nga Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT), Adelajda Roka.

Këto dokumenta dëshmojnë se kompania fituese e tenderit për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, bashkimi i operatorëve ekonomikë (BOE) turq, “Intekar Yapi Turizm Elektrik dhe “Asl Insaat Taahhut”, kanë kryer punime pa leje ndërtimi.

Por, këtë situatë nuk rezulton ta ketë konstatuar as Policia e Vlorës dhe as Inspektorati Ndërtimor Urbanistik.
Policia e IKMT mbyllën sytë
Për të kuptuar neglizhencën totale të dy strukturave, përballë paligjshmërisë së dukshme në ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, mjafton krahasimi i aktivitetit të Policisë dhe IKMT-së në raste të ngjashme.
“Boldnews.al” raportoi më herët se Policia e Vlorës, e mbështetur nga inspektorët vendorë të Bashkisë së Himarës, arrestuan në qershor të këtij viti një inxhinier ndërtimi, i cili kishte marrë përsipër zbatimin e projektit të fshatit turistik “Veil”, në zonën e Dhërmiut.
Sipas dokumentave gjyqësore, rezultoi se inxhinieri Ilir Zh. ishte kontraktuar nga kompania “Halisof” për të ndjekur punimet për ndërtimin e resortit.
Subjekti ndërtues “Halisof”, në pronësi të sipërmarrësit Klaudi Riko, ishte pajisur me leje ndërtimi nga Këshilli i Rregullimit të Territorit (KKT), i drejtuar nga kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e datës 28 janar 2025.
Por, siç rezultoi nga kontrolli i Policisë dhe inspektorëve vendorë në muajin qershor, leja e ndërtimit nuk ishte zbardhur. Për këtë arsye, efektivët e Policisë arrestuan në flagrancë inxhinierin Ilir Zh., nën dyshimet se ka kryer veprën e “ndërtimit pa leje” për qëllime përfitimi, sipas nenin 199, paragrafi 4 i Kodit Penal.
Pra, për Policinë, një subjekt që kryen punime ndërtimi pa leje të zbardhur, edhe kur ajo është miratuar, konsiderohet se është në shkelje të ligjit penal.
Konstatimi i Policisë u vlerësua i drejtë si nga prokuroria e Vlorës, e cila kërkoi masën e sigurimit arrest në shtëpi për inxhinierin, ashtu edhe nga Gjykata e qytetit bregdetar, që miratoi kërkesën e prokurorëve.
Në vendimin e siguruar nga “Boldnews.al”, gjyqtari i çështjes shprehej për atë rast: “…Nga çmuarja në tërësi e provave rezulton se, ekziston dyshimi se nga personi nën hetim, në cilësinë e inxhinierit të zbatimit/teknik ndërtimi, ka lejuar kryerjen e punimeve për të cilat kërkohet pajisja me leje ndërtimi, pa patur ende Dokumentin e Lejes së Ndërtimit. Punimet konsistojnë në punime të fazës së parë të parashikuara në Lejen e Zhvillimit, të cilat në vlerësim të Gjykatës nuk mund të fillojnë përpara pajisjes me Dokumentin e Lejes”.

Pra, duket qartë që të gjithë institucionet ligjzbatuese, vlerësojnë se punimet pa zbardhjen e lejes së ndërtimit janë të paligjshme dhe me pasoja penale për ata që i kryejnë.
Ndërkohë, në rastin e Tunelit të Llogarasë, duket se asnjë institucion ligjzbatues, nuk ka raportuar ose evidentuar punime pa leje. Ndoshta, asnjëri prej tyre nuk ka guxuar të kryejë verifikim dokumentacioni në investimin 180 milionë euro, ku rezultojnë të përfshirë zyrtarët më të lartë të qeverisë shqiptare.
LEXO EDHE:
Hap pas hapi/ Si u përmbys bota e Ballukut. Tuneli 180 mln euro rrëzoi Belën e qeverisë
Kompeks pa leje në Dhërmi/ Policia “shpëton” Klaudio Rikon e “Olea”, arreston inxhinierin














