Tre persona, mes tyre dy vëllezër, janë arrestuar në Tiranë për trafik dhe shpërndarje të lëndëve narkotike. Ata kishin marrë me qira një lavazh në rrugën “Konferenca e Pezës”, të cilin e përdornin si mbulesë për aktivitetin e tyre të paligjshëm.
Gjatë kontrollit në ambientet e lavazhit dhe në dy automjetet që ata përdornin, janë gjetur lëndë narkotike të llojit kanabis dhe kokainë, një armë sportive, një pajisje për bllokimin e valëve, 3 aparate celularë, 1 peshore elektronike dhe mjete të tjera që shërbenin për ndarjen dhe paketimin e drogës.
Në pranga kanë rënë D. Ç(S), 30 vjeç, dhe A. Ç, 38 vjeç, ndërsa është arrestuar edhe M. Z., 30 vjeç, i cili dyshohet se kishte dijeni për aktivitetin e tyre, por nuk e kishte kallëzuar.
Të tre personat do të përballen me akuzat për trafikim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike, ndërsa materialet hetimore janë referuar për veprime të mëtejshme në organet e drejtësisë.













