Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e 31 tetorit në zonën e “Agios Fanourios” në Greqi, ku një i ri shqiptar, Kristian Mitsi, ka përfunduar në gjendje të rëndë pas një ndalimi të dhunshëm nga policia.
Sipas dëshmive të një miku që ndodhej me të në momentin e ngjarjes, rreth orës 20:30, dy efektivë policie ndaluan Mitsin për mungesë dokumentesh dhe e trajtuan me dhunë ekstreme. “E kapën me forcë, e goditën dhe e keqtrajtuan para syve të mi,” rrëfen shoku i tij në një mesazh denoncues dërguar redaksisë së JOQ.
Më pas, i riu u dërgua në komisariatin e “Agios Fanourios”, ku sipas dëshmitarit, dhuna ka vazhduar edhe brenda ambienteve të policisë. Pak orë më vonë, Kristian Mitsi u transportua me ambulancë në spital, në gjendje shumë të rëndë me fraktura në nofull, dhëmbë të thyer dhe plagë të shumta në kokë e trup.
Policia greke pretendon se i riu “është vetëdëmtuar”, por dëshmitarët dhe familjarët e tij e mohojnë kategorikisht këtë version. Ata kërkojnë publikimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë, të cilat autoritetet refuzojnë t’i bëjnë publike pa urdhër gjykate.
“Më thanë se gjithçka ishte në rregull, por kur u ktheva pas një ore, pashë ambulancën që e çonte në spital. Ai më tha: ‘Vëlla, më kanë rrahur, më kanë bërë copa, më del gjak nga veshët,’” tregon shoku i Kristianit.
Familjarët dhe miqtë e tij kërkojnë hetim të plotë dhe drejtësi për atë që e konsiderojnë një akt brutal dhune policore me motive diskriminuese ndaj një të riu shqiptar pa dokumente.














