Arkmorti i ish kryeministrit Fatos Nano ka dalë nga Pallati i Kongreseve, teksa për disa orë u mbajtën homazhe.
Në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, po bëhet përcjellja me nderime shtetërore për Nanon. Arkëmorti me trupin e pajetë të ish-kryeministrit ka bërë xhiron e fundit përpara kryeministrisë, ku Fatos Nano shërbeu 3 herë në krye të qeverisë shqiptare.
Familjarë, miq, mijëra qytetarë, autoritete shtetërore, të komuniteteve fetare, trupit diplomatik, i kanë dhënë lamtumirën e fundit duke e përcjellë kortezhin me nderim dhe arkëmortin e vendosur mbi një top, e shoqëruan në bulevardin kryesor.
Fatos Nano do të përcillet për në banesën e fundit, ku arkëmorti do të prehet në varrezat e Sharrës në kryeqytet.
Fatos Nano ndërroi jetë në 31 tetor, në moshën 73-vjeçare, në një prej spitaleve private të kryeqytetit, ku po kurohej prej 24 ditësh.
Tre herë Kryeministër i Shqipërisë, Fatos Nano do të mbahet mend si një lider i së majtës shqiptare, vizionar dhe një nga figurat më të rëndësishme të politikës shqiptare gjatë periudhës së tranzicionit.
Në respekt për kontributin e Fatos Nanos në jetën publike dhe politike të vendit, 2 nëntori është shpallur edhe ditë zie kombëtare.

















