Gazetari investigativ i RAI, Sigfrido Ranucci, foli për Euronews Albania lidhur me atentatin ndaj tij pak ditë më parë, ku një sasi eksplozivi shpërtheu pranë makinës së tij dhe të vajzës, pa shkaktuar të lënduar.
Ranucci theksoi se fuqia e eksplozivit mund të kishte vrarë vajzën e tij, e cila sapo ishte kthyer në shtëpi. Ai sqaroi se sulmi kishte qenë i planifikuar, ndërsa autorët duket se kishin ndjekur lëvizjet e tij për disa ditë dhe kishin fshehur eksplozivin në një zonë pranë banesës së tij në Pomezia të Romës. Shpërthimi ndodhi në orën 22:17, duke shkatërruar dy automjete.
Gazetari mohoi lidhjet e ngjarjes me mafian shqiptare, pavarësisht raportimeve paraprake që përmendnin edhe emra shqiptarësh, si Artur Shehu.
“Nuk besoj se mafia shqiptare ka lidhje me atentatin. Aktualisht nuk kam asnjë element që ta konfirmojë një lidhje të tillë. Ata zakonisht veprojnë me ide të qarta. Mund të ketë lidhje me hetime në shtete të tjera, por për momentin nuk kam arsye për ta e lidhur me ndonjë shqiptar,” tha Ranucci.














