Prej disa vitesh, kompanitë publike në sektorin e energjisë kanë qenë në qendër të skandaleve për abuzimet me fondet publike, duke qenë se sektori i energjisë është shumë i vështirë të kuptohet nga publiku pasi janë çështje teknike.
Sipas inxhinierit elektrik, Azmer Duleviç, një pjesë e mirë e qytetarëve në zonat rurale kryesisht, mund të jenë pa energji elektrike.
“Nuk ka investime sot e 30 e ca vite dhe normalisht nëse nuk ka investime, këtu ata që e vuajnë dhe patjetër e paguajnë dyfish janë qytetarët”, tha për “Vetting” inxhinieri Duleviç.
“Vetting” ka hedhur dritë mbi terrin informativ, ku administratori i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes ka marrë drejtpërdrejt nga Balluku kontratë koncesioni në konflikt interesi të mundshëm me detyrën.
Konkretisht në 2 gusht 2022, Ministria e Infrastrukturës ka shpallur njoftimin për dhënien me koncesion/PPP për Projektim, ndërtim, operim, mirëmbajtje, rehabilitim dhe transferim i segmentit rrugor Milot-Thumanë.
Disa muaj më pas, në shkurt 2023 do të shpalleshin fitues bashkimi i kompanive “Gener 2” shpk në pronësi të vëllezërve Ulaj, “Illyrian Consulting Engineers” sh.p.k në pronësi të Olset Haxhiut dhe “I.D.K- Konstruksion” shpk në pronësi të Barjam Dalipaj me afat 35 vite.
Por Barjam Dalipaj është babai i Blendian Dalipaj, i cili prej 28 tetorit 2022 është administrator i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, institucion që është në pronësi të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, në varësi të drejtpërdrejt të zv.kryeministres Belinda Balluku.
Sipas kushteve të kontratës, por edhe sipas ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesave, Dalipi nuk mund të fitonte këtë kontratë sepse është person i lidhur duke ngritur pikëpyetje se si Balluku e ka miratuar këtë ofertë nga grupi i kompanive fituese. Duke e ndjerë rrezikun, ministrja e Infrastrukturës ia ka deleguar firmosjen e kontratës zv.ministrit Ami Kozeli, i cili ia ka dhënë në konflikt interesi të mundshëm administratorit të institucionit që është në varësi të këtij të fundit.
Por kontrata ka kaluar me Vendim të Këshillit të Ministrave dhe në fund të dhjetorit 2024, ministrja Balluku ka firmosur në cilësinë e zv.kryeministres duke qënë në konflikt të mundshëm interesi me detyrën.
Keqadministrimi i sektorit të energjisë
Keqmenaxhimi i kompanive publike të energjisë lidhet edhe me natyra të tjera të konfliktit të mundshëm të interesit brenda institucioneve. Konkretisht te Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, që është në pronësi të OSHEE-së, Erald Hasanaj është Kryetar i Këshillit të Administrimit, në të njëjtën kohë është edhe shef kabineti i Blendian Dalipit që është administrator i OSSH. Pra, edhe shef, edhe vartës duke rënë ndesh me statutin e OSSH-së.
Admirim Lakra është një tjetër anëtar i Këshillit të Administrimit të OSSH-së, në të njëjtën kohë drejtor i mirëmbajtjes së rrjetit të OSSH-së, i cili edhe raporton te administratori Blendian Dalipi, edhe miraton vendime për Blendian Dalipin, në të njëjtën kohë edhe Hasanaj.
Një situatë e ngjashme paraqitet edhe te Furnizuesi i Tregut të Lirë, ku administrator është Albi Gjenerali. Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës është Irakli Qiriako, i cili është drejtor i Operimit në FTL dhe i Programacionit.
Ky person është edhe vartës, edhe emëron, edhe miraton politikat e kompanisë, edhe i propozon. Por kjo bie ndesh me politikat e kompanisë publike, pasi nuk mund të mbikëqyresh veten.
Këto të gjitha sjellin keqadministrimin dhe keqraportimin duke sjellë mospërputhje të bilancit energjetik sipas raportimeve të OSHEE-së, KESH-it dhe OST-së.
Sipas inxhinierit Azmer Dulevic, bordet e kompanive publike në sektorin e energjisë janë thjesht disa mekanizma thjeshtë për të legjitimuar procesin kur bëjnë investime apo japin tendera.
“Në këndvështrimin tim këto janë të kota sepse unë nuk di ndonjë rast që anëtarët e bordit të kenë dalë kundër dëshirës së kryetarit apo drejtorit të OSHE-së dhe vetë vendimeve të linjës së ministrisë përkatëse”, u shpreh inxhinieri Dulevic.
Sipas këtyre të dhënave dyshohet se ka një abuzim shumë të madh prandaj fshihen bilancet dhe prandaj duhet që në Këshillat Mbikëqyrës të jetë Ceno Klosi.
Por sektori i energjisë ka probleme të rënda edhe me procesin e shitblerjes së energjisë.
Pse procedurat e shit-blerjeve të KESH-it në shumicën e rasteve nuk përputhen kërkesa e ofertës me rezultatet? Pse te optimizimi nuk përputhet kërkesa e ofertës me rezultatet?
Sipas inxhinierit Dulevic, duhet të ketë një audit dhe bilancet publike, këto ndërmarrje t’i kenë publike sepse akoma jemi me publikimet e bilanceve të vitit 2021-2022.
Një nga çështjet më të rëndësishme është optimizimi, i cili është rregullimi i portofolit financiar dhe fizik i energjisë.
Optimizimi financiar kemi kur subjekti e merr energjinë elektrike dhe e shet në orarin e PIK-ut (orari me çmimet më të larta), e zëmë 100 euro dhe e ble në orarin e Baseload (orari me çmimet më të ulëta) me 70 euro, pra fitimi 30 euro.
Kurse optizimi fizik është që këtë fitim (30 euro), subjekti e ble përsëri energji dhe ka fituar sasi energjie dhe e ka të disponueshme për konsum, në këtë rast nga Koorporata Elektroenergjitike Shqiptare.
Në shumë raste është blerë energji ndryshe nga sa është kërkuar, e cila ngre dyshime për abuzim në bashkëpunim me tregtarët privatë.
Nuk mund të ketë optimizim, kur nuk përputhet mekanizmi i shitje-blerjeve.
Njëri nga këta shembuj është procesi i shit-blerjes së energjisë për 30 shtator – 6 tetor 2024 ku kanë shitur zero energji dhe KESH ka blerë ndryshe nga sa është kërkuar.
Një shembull tjetër është për përiudhën 23 shtator – 29 shtator 2024, ku KESH ka shitur zero energji.
Koorporata e bën kërkesën për shprehje interesi dhe në fund e përshtat sipas interesave të tregtarëve në kundërshtim me ligjin sepse është një procedurë që bëhet me e-mail, nuk është transparente.
“Këto kompanitë privatë që merren me tregtimin e energjisë, shitjen dhe blerjen e energjisë si ka mundësi që dalin çdo vit me bilanc pozitiv? Pra mbi 130, 150 milionë euro bilanc pozitiv. Kurse KESH-i nga ana tjetër del me bilanc negativ. Tani këtu ka diçka që nuk shkon”, u shpreh inxhinieri Dulevic.
Shkeljet janë të panumërta nga zv.kryeministrja Balluku dhe zv.ministrat e saj, të cilët kanë dhënë koncesione/PPP në konflikt interesi të mundshëm me detyrën, kanë lehtësuar punën për kompanitë që kanë si administrator familjarët e drejtorëve të përgjithshëm apo edhe familjarët e kabinetit Balluku, që marrin tendera nga ARRSH-ja dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Duke analizuar rast mbas rasti, duket e çuditshme se si ministrja që kontrollon qiellin, rrugët, portet dhe burimet energjetike në Shqipëri ka imunitet nga drejtësia e re.
Kanë kaluar 4 vite nga nisja e hetimeve prej Prokurorisë së Posaçme në sektorin e energjisë, konkretisht me procedimin penal në tetor 2021, por deri tani nuk ka asnjë masë ndalimi apo arresti për asnjë zyrtar të lartë, që ka qenë apo është në detyrë te ndërmarrjet publike të energjisë.
/Emisioni “Vetting”